Kaos në funeralin e bashkëshortes së Luciano Moggi, një person godet me grusht priftin që drejtonte ceremoninë mortore

28/05/2026 13:08

Tre persona mbetën të plagosur dhe një burrë u ndalua nga karabinierët pas një incidenti të ndodhur të mërkurën në Monticiano, në provincën e Sienës në Itali, pak para funeralit të Giovanna Regolit, bashkëshortes së ish-drejtuesit të futbollit italian Luciano Moggi.

Sipas mediave italiane, një shtetas i huaj ka humbur kontrollin dhe ka sulmuar fillimisht don Paolo Casagrande, priftin që do të drejtonte ceremoninë pas funeralit. Më pas ai ka goditur edhe komandantin e stacionit lokal të karabinierëve si dhe një qytetar tjetër që ndërhynë për ta neutralizuar.

Autori i sulmit arriti fillimisht të largohej duke përfituar nga rrëmuja dhe numri i madh i njerëzve të pranishëm, por më vonë u identifikua dhe u shoqërua në komisariat nga karabinierët.

Tre të plagosurit morën ndihmën e parë në vendngjarje dhe më pas u transportuan në spitalin “Santa Maria alle Scotte” në Siena për trajtim mjekësor.

Për shkak të incidentit, ceremonia mortore u drejtua më pas nga don Virgil Farcas Gherghina, prifti i Arcidossos.

Lidhur me ngjarjen reagoi edhe kryebashkiaku i Monticianos, Alessio Serragli, i cili tha se episode të tilla trondisin një komunitet të vogël si ai i tyre dhe shprehu solidaritetin ndaj personave të sulmuar

Top Channel