Meksika njofton negociata me SHBA-në: Do rishqyrtojmë marrëveshjen tregtare në muajt e ardhshëm
Fondi i krijuar nga Banka Botërore për Bordin e Paqes të Presidentit Donald Trump nuk ka marrë asnjë financim, pavarësisht premtimeve që arrijnë në miliardë dollarë nga SHBA-të dhe liderë të tjerë botërorë, raporton Financial Times, duke cituar disa burime.
“Zero dollarë janë depozituar”, tha një burim. Bordi ka marrë donacione, por ato janë depozituar drejtpërdrejt përmes llogarisë së tij në JPMorgan Chase, sipas zëdhënësit të bordit. “Janë krijuar disa opsione për të marrë financime. Në këtë pikë, kontribuesit kanë zgjedhur të përdorin opsione të tjera”, tha një zyrtar i Bordit të Paqes për Financial Times”.
Maroku ka kontribuar me rreth 20 milionë dollarë, të cilat kanë ndihmuar në financimin e zyrës së Nickolay Mladenov, “përfaqësuesit të lartë” për Gazën pas luftës, si dhe pagat e komitetit teknokratik palestinez të formuar nga bordi për të qeverisur Gazën, raportoi Financial Times. Përveç kësaj, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë kontribuar me 100 milionë dollarë të dedikuar për trajnimin e një force të re policore për Gazën, por fondet janë të ngrira dhe programi nuk ka filluar ende.
“Asnjë nga këto para nuk po menaxhohet nga Bordi i Paqes, dhe Departamenti i Shtetit thotë se nuk ka synim që ndonjë nga këto para të menaxhohet nga Bordi i Paqes”, tha një ndihmës i lartë i Kongresit për Financial Times.
Departamenti i Shtetit dëshiron të japë rreth 50 milionë dollarë drejtpërdrejt për bordin, por këto nuk janë shpërndarë ende, ndërsa zyrtarët i kanë siguruar Kongresit se bordi nuk do të mund t’i përdorë fondet pa sistemet e nevojshme për të marrë fonde amerikane, tha më tej ndihmësi i Kongresit.
Zëdhënësi i bordit tha se, ndërsa bordi ka filluar proceset e tenderimit për punë sigurie dhe rindërtimi, ende nuk janë dhënë kontrata. “Shumë prej kësaj ndodh, sepse ne ende nuk po operojmë në Gaza”, tha zëdhënësi, duke shtuar se Hamasi ende nuk është çarmatosur. Trump fillimisht paraqiti një plan me disa faza që parashikonte çarmatimin e Hamasit, tërheqjen e forcave izraelite dhe rindërtimin e Gazës. Pjesë e këtij organizimi të krijuar nga presidenti Trump janë edhe Shqipëria e Kosova, të cilat kanë rënë dakord të ndihmojnë me dërgimin e trupave ushtarake në Rripin e Gazës.
Top Channel