Trump mesazh të qartë Teheranit: Uraniumin iranian ose do ta marrim ne ose do të shkatërrohet

26/05/2026 07:49

Presidenti amerikan, Donald Trump tha se rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit duhet ose të dorëzohen në Shtetet e Bashkuara ose të shkatërrohen nën mbikëqyrje ndërkombëtare, ndërsa negociatat për një marrëveshje të re me Teheranin vazhdojnë.

Në një postim në Truth Social, presidenti amerikan tha se uraniumi i pasuruar i Iranit duhet ose të transferohet në Shtetet e Bashkuara për shkatërrim ose të shkatërrohet në një vend tjetër, në prani të vëzhguesve ndërkombëtarë.

Postimi i plotë i Trump:

“Uraniumi i pasuruar (“Pluhuri Bërthamor!”) ose do të dorëzohet menjëherë në Shtetet e Bashkuara për transferim dhe shkatërrim ose, mundësisht, në bashkëpunim dhe koordinim me Republikën Islamike të Iranit, do të shkatërrohet në vend ose në një vend tjetër të pranueshëm, me Komisionin e Energjisë Atomike ose ekuivalentin që mbikëqyr procesin”

Ai nuk sqaroi nëse po i referohej ekskluzivisht afërsisht 440 kilogramëve të uraniumit shumë të pasuruar që zotëron Irani apo të gjithë rezervave të uraniumit të pasuruar të vendit.

Sipas raporteve amerikane, zyrtarët amerikanë kanë argumentuar se të gjitha rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit duhet të hiqen si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme.

Teherani, nga ana e tij, këmbëngul se nuk do të diskutojë programin e tij bërthamor përpara se të zbatohet një armëpushim i mundshëm 60-ditor, i cili po negociohet si pjesë e marrëveshjes.

Kontaktet midis dy palëve po vazhdojnë, por pa shenja të një marrëveshjeje përfundimtare deri më tani.

Top Channel