Robert F. Kennedy Jr. kafshohet nga një gjarpër në Florida, videoja bëhet virale

26/05/2026 22:05

Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes pas publikimit të një videoje të pazakontë në rrjetet sociale, ku shfaqet duke kapur me duar të zhveshura dy gjarpërinj në Florida.

Në videon 49-sekondëshe, Kennedy shihet duke mbajtur dy gjarpërinj të zinj, ndërsa bashkëshortja e tij, Cheryl Hines, dëgjohet duke i kërkuar të tregojë kujdes. Në një moment, njëri prej gjarpërinjve ngrihet papritur dhe duket se e kafshon në dorë, duke e detyruar Kennedyn të tërhiqet nga dhimbja.

Pamjet besohet se janë filmuar në rezidencën e Mehmet Oz në Palm Beach, Florida. Në postimin shoqërues, Kennedy shkroi me humor: “Cheryl udhëheq largimin e një çifti racistësh të zinj nga oborri i Dr. Oz”, duke iu referuar specieve të gjarprit “black racer”, një lloj johelmues shumë i zakonshëm në Florida.

Sipas ekspertëve, gjarpërinjtë “southern black racer” janë të padëmshëm për njerëzit, por njihen për shpejtësinë dhe reagimet agresive kur ndihen të kërcënuar.

Videoja ka rikthyer vëmendjen mbi marrëdhëniet e çuditshme të Kennedyt me kafshët e egra, histori që prej vitesh kanë ngjallur debat dhe polemika në SHBA. Vetë Kennedy ka pranuar më herët se kishte hedhur trupin e një këlyshi ariu në Central Park, pasi fillimisht kishte planifikuar ta merrte për mish.

Në një tjetër episod të bërë publik së fundmi nga biografia “RFK Jr: The Fall and Rise”, thuhet se ai kishte gjymtuar trupin e një rakuni të gjetur të ngordhur në një autostradë të Nju Jorkut në vitin 2001. Autorja e librit, Isabel Vincent, citon shënimet personale të Kennedyt, ku ai përshkruante momentin kur po i priste organet kafshës së ngordhur.

Ndër episodet më të diskutueshme përmendet edhe pretendimi se Kennedy kishte prerë kokën e një balene të ngordhur me një sharrë elektrike dhe e kishte transportuar atë mbi çatinë e makinës së tij.

Polemikat janë shtuar edhe nga deklarata të tjera të pazakonta që lidhen me jetën personale dhe shëndetin e tij, përfshirë pretendimet se një pjesë e trurit të tij ishte dëmtuar nga një parazit.

Deri tani, Departamenti Amerikan i Shëndetësisë nuk ka dhënë koment zyrtar mbi videon e fundit, ndërsa një burim pranë Kennedyt është shprehur për mediat amerikane se ai “është mirë” pas incidentit me gjarpërinjtë.

Top Channel