Plani i Putin po dështon? Rusia shton kërcënimet ndaj Ukrainës, analistët: Lufta nuk po ecën sipas planeve të Kremlinit

26/05/2026 17:19

Rusia ka shtuar retorikën kërcënuese ndaj Ukraine, duke paralajmëruar për “sulme të vazhdueshme dhe sistematike ndaj Kievit”, pas valës së fundit të bombardimeve që goditën kryeqytetin ukrainas gjatë fundjavës.

Moska deklaroi se objektiv i sulmeve do të jetë kompleksi ushtarako-industrial i Ukrainës, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të huaj dhe stafit diplomatik të largohen nga Kievi “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Megjithatë, sipas autoriteteve ukrainase dhe analistëve ushtarakë, këto paralajmërime nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një fazë të re të luftës, por më tepër një përpjekje të Kremlinit për të rritur presionin psikologjik dhe për të kontrolluar narrativën e konfliktit.

Rusia po përdor si justifikim për kërcënimet një sulm të javës së kaluar në Starobilsk, ku Moska pretendon se u vranë 21 studentë civilë. Ukraina, nga ana tjetër, këmbëngul se objektivi ishte një strukturë ushtarake në territorin e pushtuar nga forcat ruse.

Analisti ushtarak ukrainas, Ivan Stupak, tha se Kremlini po përpiqet të justifikojë sulmet ndaj Kievit përballë pakënaqësive në rritje brenda Rusisë.

“Kur ke probleme me ekonominë dhe shoqërinë ruse, rritet presioni për hakmarrje”, deklaroi ai.

Ndërkohë, Andrii Kovalenko beson se retorika agresive e Moskës lidhet me mungesën e suksesit strategjik në vijën e frontit.

Sipas tij, Rusia po përpiqet të ushtrojë presion psikologjik mbi Ukrainën, të frikësojë aleatët perëndimorë të Kievit dhe të largojë vëmendjen nga sulmet ukrainase me rreze të gjatë brenda territorit rus.

Top Channel