Plani i Putin po dështon? Rusia shton kërcënimet ndaj Ukrainës, analistët: Lufta nuk po ecën sipas planeve të Kremlinit
Spanja është tronditur nga zhvillimet e fundit rreth vdekjes së themeluesit të rrjetit global të veshjeve “Mango”, Isaac Antic.
Djali i tij, Jonathan Antic, ka njoftuar tërheqjen e përkohshme nga posti i nënkryetarit të kompanisë, ndërsa ndaj tij po zhvillohet një hetim për vrasje me dashje.
Vendimi i Jonathan Antic vjen pasi ai kërkon të përqendrohet plotësisht në mbrojtjen e tij ligjore dhe në kundërshtimin e akuzave. Në një letër të hapur drejtuar stafit të “Mango” dhe të publikuar nga revista Hola, ai shprehet se akuzat janë të padrejta dhe të pabazuara.
“I shkruaj këto fjalë me ndershmëri dhe përulësi, përmes dhimbjes, dobësisë dhe zhgënjimit që ndiej ndërsa shoh të formohet një imazh faji që nuk korrespondon me realitetin”, shkruan ai.
Biznesmeni pranoi se marrëdhënia me të atin kishte kaluar ulje-ngritje, por këmbënguli se lidhja mes tyre kishte qenë gjithmonë e fortë. Sipas tij, imazhi publik i krijuar ndaj tij është i shtrembëruar dhe i bazuar në prova fragmentare.
Çështja nisi në dhjetor të vitit 2024, kur Isaac Antic humbi jetën gjatë një ecjeje në zonën malore të Montserratit në Spanjë, ku ndodhej së bashku me të birin. Fillimisht ngjarja u konsiderua një aksident tragjik, por më pas autoritetet rihapën hetimet dhe nisën të dyshojnë për një akt kriminal.
Zhvillimet morën kthesë dramatike javën e kaluar, kur Jonathan Antic u arrestua me akuzën e vrasjes me dashje. Ai u lirua më pas pasi pagoi një garanci prej 1 milion eurosh. Autoritetet i kanë sekuestruar pasaportën dhe e kanë detyruar të paraqitet një herë në javë në gjykatë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.
Top Channel