Shpresa për marrëveshje SHBA-Iran ul çmimet e naftës, bursat aziatike në rritje

25/05/2026 07:25

Çmimet e naftës kanë pësuar rënie të ndjeshme këtë të hënë, ndërsa tregjet financiare në Azi janë rritur ndjeshëm pas sinjaleve për një marrëveshje të mundshme paqeje mes SHBA-së dhe Iranit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se marrëveshja me Teheranin është “negociuar kryesisht”, megjithëse më vonë kërkoi nga ekipi i tij negociator të mos nxitojë drejt finalizimit.

Në tregjet aziatike, nafta Brent ra me 5.5%, duke zbritur në 97.90 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane pësoi rënie prej 5.8%, në 90.99 dollarë.

Shpresa për rihapjen e Hormuzit rrit bursat në Azi

Optimismi për një marrëveshje ka ndikuar menjëherë edhe në bursat aziatike. Indeksi japonez Nikkei 225 u rrit me 2.9%, duke kaluar nivelin historik prej 65 mijë pikësh për herë të parë. Investitorët po reagojnë pozitivisht ndaj mundësisë së rihapjes së Ngushticës së Hormuzit, rruga strategjike nga ku kalon rreth 20% e furnizimit botëror me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm.

Japonia dhe Koreja e Jugut konsiderohen ndër vendet më të prekura nga kriza, pasi varen në masë të madhe nga energjia që vjen nga Gjiri Persik.

Trump: Marrëveshja është afër, por nuk duhet nxituar

Trump deklaroi se ka zhvilluar bisedime me liderët e Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Katarit për një “Memorandum Mirëkuptimi që lidhet me paqen”. Ai shtoi se detajet finale të marrëveshjes po diskutohen dhe do të bëhen publike së shpejti.

Megjithatë, presidenti amerikan ndryshoi ton një ditë më vonë, duke theksuar në Truth Social se “të dyja palët duhet të marrin kohën e tyre dhe ta bëjnë siç duhet”.

Irani paralajmëron: Ende pa marrëveshje për çështjet kryesore

Nga ana tjetër, zëdhënësi i diplomacisë iraniane, Esmaeil Baqaei, deklaroi se pozicionet mes SHBA-së dhe Iranit janë afruar gjatë javëve të fundit, por paralajmëroi se ende nuk ka dakordësi për temat kryesore. Ai akuzoi gjithashtu Uashingtonin për “deklarata kontradiktore”.

Lufta ndikoi tregjet globale të energjisë

Që prej nisjes së konfliktit në fund të shkurtit, tregjet globale të energjisë kanë përjetuar luhatje të forta. Irani kërcënoi me sulme ndaj anijeve që kalonin në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa sulmet ndaj Izraelit dhe vendeve aleate të SHBA-së në Gjirin Persik rritën tensionet në rajon.

Edhe pse çmimet e naftës kanë rënë ndjeshëm sot, ato mbeten ende më të larta krahasuar me periudhën para luftës, kur Brent tregtohej rreth 70 dollarë për fuçi.

Eksperti i energjisë, Saul Kavonic, deklaroi se ka “dritë në fund të tunelit” për tregjet, por paralajmëroi se normalizimi i plotë i furnizimeve globale me naftë mund të zgjasë deri në vitin 2027.

Top Channel