Ku dhe përse janë dislokuar trupat e SHBA-së në Europë? Roli i NATO-s dhe interesave strategjike
Presidenti amerikan, Donald Trump, po përballet me presion të fortë politik në Uashington, ndërsa administrata e tij po negocion një marrëveshje të mundshme me Iranin për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme.
Edhe pse Trump ka deklaruar disa herë se një marrëveshje është “shumë afër”, skeptikët brenda të dy partive në SHBA paralajmërojnë se kompromisi i mundshëm mund të konsiderohet një tërheqje politike dhe strategjike për Uashingtonin.
Sipas raportimeve, marrëveshja fillestare mund të përfshijë rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe lehtësimin gradual të bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane. Ky zhvillim do të sillte lehtësim për tregjet globale të energjisë, pas javëve të tensioneve që çuan në rritje të fortë të çmimeve të naftës dhe krizë ekonomike në disa vende. Megjithatë, analistët paralajmërojnë se marrëveshja nuk zgjidh menjëherë çështjen kryesore: programin bërthamor të Iranit.
Brenda Partisë Republikane, shumë senatorë konservatorë po kritikojnë hapur idenë e një marrëveshjeje. Senatori Thom Tillis deklaroi se SHBA kishte premtuar neutralizimin e plotë të programit bërthamor iranian dhe pyeti pse tani po diskutohet lejimi i materialeve bërthamore të mbeten në Iran. Edhe senatori Roger Wicker paralajmëroi se një marrëveshje e butë do të krijonte “perceptim dobësie” për SHBA-në.
Ndërsa senatori Lindsey Graham tha se lejimi i Iranit të ruajë kontrollin strategjik mbi Ngushticën e Hormuzit mund të ndryshojë ekuilibrat e fuqisë në rajon.
Kritika të forta kanë ardhur edhe nga demokratët, të cilët akuzojnë Trump për nisjen e një lufte pa strategji të qartë. Senatori Cory Booker deklaroi se marrëveshja e propozuar nuk adreson realisht programin bërthamor iranian dhe akuzoi presidentin amerikan se “e futi vetë SHBA-në në këtë situatë”.
Ndërkohë, senatori Chris Van Hollen tha se marrëveshja rrezikon ta rikthejë rajonin në gjendjen para luftës, ose edhe më keq.
Sipas analistëve amerikanë, Trump ndodhet në një situatë të vështirë politike. Nga njëra anë, shumica e amerikanëve kundërshtojnë vazhdimin e luftës dhe një përshkallëzim të ri ushtarak mund të dëmtojë rëndë administratën përpara zgjedhjeve të mesmandatit. Nga ana tjetër, një marrëveshje që perceptohet si lëshim ndaj Iranit mund të dobësojë mbështetjen e republikanëve konservatorë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, mbrojti administratën duke deklaruar se është “absurde” të mendohet se Trump do të pranojë një marrëveshje që forcon Iranin.
Vetë Trump deklaroi së fundmi se i ka udhëzuar negociatorët amerikanë “të mos nxitohen” për marrëveshjen, duke shtuar se “koha është në anën tonë”.
Administrata amerikane beson se një marrëveshje do të ulë çmimet e energjisë dhe do të lehtësojë inflacionin në SHBA. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se rikuperimi i tregjeve globale të naftës nuk do të jetë i menjëhershëm, pasi dëmet nga konflikti dhe bllokimi i Hormuzit kanë krijuar tensione të mëdha në furnizimin global.
Analistët e JPMorgan parashikojnë që çmimi i naftës të mbetet pranë 97 dollarëve për fuçi gjatë pjesës së mbetur të vitit.
Top Channel