Vitin e ardhshëm do të mbahet Evropiani i grupmoshës U21 me Shqipërinë që është një prej vendeve organizatore të këtij kompeticioni të rëndësishëm. Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur zyrtarisht punimet në terrenet stërvitore që do të përdoren në këtë eveniment

Gjithçka ka nisur nga Durrësi me ndërhyrjet që po bëhen në stadiumin ‘Niko Dovana’. Bëhet fjalë për punimë të specializuara për përmirësimin e tapetit, sistemit kullues dhe kushteve të përgjithshme infrastrukturore, në përputhje me standardet e kërkuara nga UEFA dhe që pritet të zgjasin rreth një javë.

Ndërhyrjet më pas do të vijojnë edhe në terrene të tjera stërvitore dhe komplekse sportive në vend, mes tyre fusha pranë Marinës Detare, kompleksi “Skënder Halili”, “Shtëpia e Futbollit”, stadiumi i Egnatias, kompleksi sportiv në Elbasan si edhe ambiente të tjera që do të jenë pjesë e hartës organizative të UEFA U-21 EURO 2027.

Përmes këtij projekti, FSHF synon jo vetëm përmbushjen e kritereve organizative për zhvillimin e Kampionatit Europian U-21, por edhe lënien e një trashëgimie të rëndësishme infrastrukturore për futbollin shqiptar. Investimet në terrenet stërvitore dhe stadiume do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve për klubet, akademitë dhe ekipet kombëtare në të gjithë vendin.

Procesi i rikonstruksionit dhe përgatitjes së terreneve do të vijojë sipas planit deri në fund të muajit qershor 2026, me synimin që çdo impiant të jetë në standardet më të larta teknike dhe organizative për të garantuar një organizim dinjitoz të UEFA U-21 EURO 2027.

Top Channel