De Laurentiis i sulmon të gjithë: Luftoj me një kryetar bashkie juventin, qeveria nuk do t’ia dijë për futbollin

24/05/2026 22:57

Aurelio De Laurentiis nuk kursehet aspak në sulmet ndaj institucioneve të futbollit dhe jo vetëm.

Presidenti i Napolit ishte bashkë me Antonio Conten në konferencën e lamtumirës së trajnerit salentin duke mos kursyer askënd nga autoritetet me sulmet e tij

‘Është e qartë se kampionati italian nuk ka një cilësi kaq të lartë-tha De Laurentiis-është komplikuar edhe nga një klasë arbitrare dhe nga agjentë që duan të thonë gjithnjë fjalën e tyre. Nuk kuptohet se përse qeveria nuk vendos një tapë. Pastaj ndërhyn edhe Ministri i Sporteve që bën rrëmujë për sektorët e të rinjve. Ashtu sikurse dhe Ministri i Ekonomisë që në tryezën e tij të punës ka fanelën e Southampton; s’i bëhet vonë për futbollin italian, Unë gjithnjë e kam pyetur veten; po a është e mundur që qeveria italiane është kaq miope sa të mos kujdesest për 28 milionë zgjedhës? Dhe pastaj politikanët të bezdisin për të ndjekur ndeshjet, të japin sugjerime, duan të bëjnë trajnerin’.

Më pas De Laurentiis kishte disa fjalë edhe për kryebashkiakun e Napolit, Gaetano Manfredi.

‘Imagjinoni, më duhet të luftoj me një kryetar bashkie si ai i këtij qyteti, që për më tepër është juventin-vijoi De Laurenttis-dhe pas 2 titujve, më jep stadiumin vetëm një ditë para ndeshjes, atë ditë dhe ditën më pas. Vetëm një si unë e mbron klubin e Napolit në këtë mënyrë’

De Laurentiis foli edhe për idenë e ndërtimit të një stadiumi të ri në Napoli.

‘Ata merren me historinë e ristrukturimit të Maradona Stadium-tha presidenti i Napolit-nuk është e mundur. I thashë presidentit të rajonit të Campanias: nëse jepni 100 apo 200 milionë euro në ristrukturimin e impiantit, unë nuk investoj më asnjë euro te Napoli. Kam gjetur një terren prej 38 hektarësh ku mund të ndërtoj një stadium me kapacitet 70 mijë vende, të gjithin të financuar me fondet e mia nëse kryetari i bashkisë nuk më vë shkopinj në rrota’.

Në fund De Laurentiis foli për ofertat që i kanë ardhur për blerjen e Napolit

‘Amerikanët më ofruan 900 milionë euro, pastaj pas Covidit, arabët u paraqitën me 3.5 miliardë euro për Napolin dhe Filmauro u përgjigj në këtë mënyrë: ‘Po tani çfarë të bëj, të dal në pension?’-tregon De Laurentiis-problemi nuk është te paratë, por nëse ai që do të vijë do të jetë në gjendje të menaxhojë edhe me zemër. Mund të mos jesh një tifoz, por një klub përfshin shumë faktorë të paparashikueshëm dhe duhet ta ndjekësh me dashuri’.

Top Channel