Trump sulmon sërish Colbert pas mbylljes së “The Late Show”, shpërndan video me IA duke e hedhur moderatorin në koshin e plehrave

23/05/2026 10:29

Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka reaguar në mënyrë të ashpër dhe ironike pas përfundimit të emisionit të njohur të natës “The Late Show”, të drejtuar nga komediani Stephen Colbert në rrjetin televiziv CBS, i cili u mbyll pas 11 vitesh transmetim.

Trump ka shpërndarë në platformën e tij “Truth Social” një video të gjeneruar me inteligjencë artificiale, ku shfaqet duke e kapur Colbert dhe duke e hedhur në një kosh plehrash, përpara se të nisë të kërcejë në pistën e vallëzimit me këngën “YMCA”.

Videoja u shpërnda më pas edhe nga llogaria zyrtare e Shtëpisë së Bardhë në rrjetin “X”, me mbishkrimin “Mirupafshim”, duke nxitur reagime të shumta në opinionin publik dhe në mediat amerikane.

Para publikimit të videos, Trump kishte përshëndetur mbylljen e emisionit, duke e quajtur Colbert “pa talent” dhe duke deklaruar se është e habitshme që ai ka qëndruar për kaq shumë vite në ekran. Ai gjithashtu shtoi se largimi i tij është “fillimi i fundit” për moderatorët e tjerë të emisioneve të natës që, sipas tij, janë kritikë ndaj administratës.

Nga ana tjetër, kompania mëmë Paramount Skydance ka deklaruar se mbyllja e emisionit është marrë për arsye financiare, ndërsa kritikët e shohin këtë vendim si të ndikuar politikisht nga presioni i administratës Trump për shkak të proceseve të bashkimit të kompanive.

Top Channel