Kreu i inteligjencës së jashtme të Estonisë, Kaupo Rosin, ka deklaruar se Rusia po përballet me presion në rritje ushtarak dhe ekonomik në luftën kundër Ukrainës dhe se “koha nuk është në favor të saj”.
Në një intervistë për CNN, Rosin tha se brenda katër deri në pesë muajve të ardhshëm, Presidenti Vladimir Putin mund të mos jetë më në gjendje të negociojë nga një pozicion force, për shkak të bllokimit në fushëbetejë dhe problemeve të brendshme në Rusi.
Sipas tij, Rusia po humb çdo ditë një numër të madh ushtarësh dhe nuk po arrin të zëvendësojë humbjet, ndërsa lufta me dronë ka bërë që fronti të mbetet i ngadaltë dhe pa përparime të mëdha.
Rosin theksoi se edhe ekonomia ruse po ndjen efektet e sanksioneve ndërkombëtare dhe shpenzimeve të luftës, ndërsa rritja ekonomike është ngadalësuar ndjeshëm.
Ai paralajmëroi se nëse Moska kërkon të ndryshojë situatën në terren, mund të detyrohet të ndërmarrë një mobilizim të ri të detyruar, gjë që sipas tij do të sillte rreziqe për stabilitetin e brendshëm të vendit.
Megjithatë, ai shtoi se aktualisht nuk sheh shenja të një revolte apo tronditjeje të madhe në Rusi, për shkak të kontrollit të fortë të aparatit të sigurisë.
Top Channel