Po sikur diplomacia të “dështojë”/ Opsionet e rrezikshme të Trump për të përkulur Iranin
Pas katër javësh negociatash intensive, vendet që kanë nënshkruar Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT) dështuan të premten të arrijnë një marrëveshje mbi një tekst që do të riafirmonte objektivat e çarmatimit dhe mospërhapjes bërthamore.
Lajmi u konfirmua nga presidenti i takimit, i cili njoftoi përfundimin e konferencës pa një marrëveshje finale.
“Pavarësisht të gjitha përpjekjeve tona, e kuptoj që ky takim nuk është në gjendje të arrijë një marrëveshje mbi punën e tij themelore”, deklaroi presidenti i konferencës, duke mbyllur zyrtarisht takimin që konsiderohet një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare për çështjet e mospërhapjes bërthamore.
Gjatë negociatave, vendeve anëtare iu shpërnda një dokument i cili ishte modifikuar vazhdimisht me qëllim zbutjen e formulimeve dhe afrimin e palëve drejt kompromisit. Megjithatë, sipas drejtuesit të konferencës, objektivi i tekstit ishte “të mos i pëlqente të gjithëve në mënyrë të barabartë”, duke reflektuar vështirësitë e mëdha për arritjen e konsensusit.
Ekspertët ndërkombëtarë theksojnë se, edhe pse kjo është hera e tretë radhazi që konferenca dështon të prodhojë një marrëveshje përfundimtare, Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore vazhdon të mbetet në fuqi dhe konsiderohet ende një gur themeli i sigurisë globale.
Megjithatë, ata paralajmërojnë se dështimet e përsëritura po dëmtojnë gradualisht legjitimitetin dhe besimin ndaj traktatit, duke rritur shqetësimet se disa shtete pa armë bërthamore mund të fillojnë të vënë në dyshim nëse politika e mospërhapjes mbetet zgjidhja më e mirë për garantimin e sigurisë së tyre kombëtare.
Top Channel