Rubio: Kuba kërcënim për SHBA-në. Havana shpërthen ndaj Uashingtonit: Gënjeshtra

22/05/2026 09:30

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Kuba vazhdon të jetë një “kërcënim për sigurinë kombëtare” të SHBA-së, ndërsa paralajmëroi se mundësitë për një marrëveshje diplomatike me Havanën janë shumë të ulëta.

Deklaratat e Rubios vijnë vetëm një ditë pasi autoritetet amerikane akuzuan ish-presidentin kubanez Raul Castro për përfshirje në rrëzimin e dy avionëve në vitin 1996, ngjarje ku humbën jetën disa shtetas amerikanë.

Diplomacia mbetet zgjedhja jonë, por gjasat për sukses nuk janë të larta”, u shpreh Rubio para gazetarëve, duke shtuar se presidenti Donald Trump ka “detyrimin për të mbrojtur SHBA-në nga çdo kërcënim”.

Nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm i Kubës, Bruno Rodríguez, reagoi ashpër duke i quajtur deklaratat e Rubios “gënjeshtra” dhe mohoi që Kuba të ketë qenë ndonjëherë kërcënim për SHBA-në.

Rodríguez akuzoi Uashingtonin se po përpiqet të “nxisë agresion ushtarak” ndaj Kubës dhe e cilësoi presionin amerikan si një sulm “të pamëshirshëm dhe sistematik” ndaj ishullit.

Ndërkohë, Kuba po përballet me krizë të rëndë ekonomike dhe mungesa të mëdha të energjisë elektrike e ushqimeve, ndërsa SHBA ka shtuar presionin ndaj regjimit komunist për arritjen e një marrëveshjeje politike.

Rubio zbuloi gjithashtu se Kuba kishte pranuar një paketë ndihme humanitare prej 100 milionë dollarësh nga SHBA.

Situata u tensionua edhe më tej pasi autoritetet amerikane arrestuan në Florida Adys Lastres Morera, motrën e një zyrtari të lartë të një konglomerati ushtarak kubanez. Rubio pretendon se ajo ndihmonte regjimin komunist të Havanës, ndërsa jetonte në SHBA.

Në një reagim nga Zyra Ovale, Trump e quajti Kubën “një vend të dështuar” dhe deklaroi se administrata e tij po përpiqet ta ndihmojë popullin kubanez “në baza humanitare”.

Presidentë të tjerë janë marrë me këtë për 50-60 vite. Ndoshta unë do të jem ai që do ta zgjidhë”, tha Trump.

Top Channel