Pas ankesave të shumta të qytetarëve dhe bizneseve në rrugën “17 Nëntori”, ku kanë nisur punimet për rikonstruksionin, firma e ndërtimit duket se nuk preokupohet aspak.
Asnjë makineri e saj nuk shihet të punojë në rrugë për të përshpejtuar punimet dhe për të minimizuar ndotjen që ka krijuar.
Bashkia e Tiranës ka dhënë afro 1.4 milion euro për një segment rrugor prej 2 kilometrash. Tenderin e punimeve e ka fituar shoqëria “Vianex shpk”, ndërsa punimet i mbikëqyr shoqëria “Zenit & Co”, e cila ka nënkontraktuar një tjetër firmë që nuk dihet nëse i ka makineritë e duhura dhe burimet njerëzore të mjaftueshme.
“Mungesa e tenderave sipas praktikës ligjore, por tenderat janë fiktivë, tenderin e zbaton një kompani e tretë që nuk ka burime të mjaftueshme sa për të mbuluar infrastrukturën që ka marrë gjatë tenderimit”, shprehet Romeo Nazarko, projektues rrugësh.
Në 2 km rrugë nuk shikohet asnjë makineri të punojë, por duket qartë se firma fantazmë që po kryen këtë fazë punimesh, e cila nuk rezulton e identifikuar në tabelë, ka zgjedhur që sheshimin e rrugës ta kryejnë makinat që e përdorin këtë rrugë dhe jo makineria e posaçme, pasi ka kosto firma.
“Në zonat urbane, intensiteti i ndërtimit duhet të jetë i madh, ne shikojmë mungesë të punonjësve, mungesë të mjeteve bujqësore, të botit që spërkat rrugën. Shohim rulin që rri i parkuar aty dhe nuk e ushtron funksionon e vet për të bërë ngjeshjen e rrugëve sepse ka kosto, dhe këtë ia ka lënë qytetarëve që përmes makinave të tyre të dëmtojnë makinat e tyre”, thotë eksperti.
Por përveç shqetësimit të krijuar për banorët e zonës nga reja e pluhurit që thithin në çdo moment, dhe stresit që kalojnë çdo ditë drejtuesit e automjeteve për shkak të trafikut që krijohet nga gropat në rrugë, shumë shpejt këta të fundit do të kenë edhe një tjetër faturë, ndërkohë që firmën e punimeve nuk e monitoron askush.
Ministria e Infrastrukturës dhe Bashkia e Tiranës duhet të ndërhyjnë menjëherë për të ndjekur ecurinë e punimeve, të cilat po kryhen jashtë çdo standardi teknik.
Top Channel