Universiteti Europian i Tiranës dhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kanë zyrtarizuar një marrëveshje të re bashkëpunimi institucional.
Në kuadër të 20-vjetorit të themelimit, UET ka dorëzuar një donacion të vlefshëm që do të jetë në shërbim të pacientëve në disa nga departamentet kryesore të spitalit më të madh në vend.
Ky kontribut, i cili përfshin defibrilatorë dhe krevate spitalorë shërbimi, do të vendoset pranë repartit të observimit në Urgjencën e QSUT-së, me qëllim përmirësimin e kushteve dhe trajtimit të pacientëve. Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit afatgjatë, Rektorja e UET-së, Prof. Dr. Drita Kruja, vuri theksin te misioni social i universitetit në këto dy dekada rrugëtim.
“Është kënaqësi për Universitetin Europian të Tiranës që, në kuadër të politikave të përgjegjësisë sociale, siç ka bërë në gjithë rrugëtimin e tij 20-vjeçar, të kontribuojë me këtë dhurim të vlefshëm për qendrën më të madhe shëndetësore në Shqipëri. Bashkëpunimi ynë do të jetë i vazhdueshëm jo vetëm nëpërmjet praktikave të studentëve, por edhe ofrimit të ekspertizës së pedagogëve tanë”, tha Prof. Dr. Drita Kruja.
Përfaqësuesit e universitetit panë nga afër disa prej reparteve të spitalit më të madh në vend për t’u njohur me nevojat e personelit shëndetësor. Përtej pajisjeve të dhuruara, marrëveshja e re do të garantojë hapësira për praktikat profesionale të studentëve të fushave mjekësore dhe angazhim të stafit akademik. Për këtë mbështetje konkrete në urgjencën e spitalit, u shpreh falënderuese Drejtoresha e Përgjithshme e QSUT-së, Anxhela Paparizo.
“Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ju falënderon për këtë donacion që e keni prezantuar sot tek ne. Ai është një donacion i cili do t’u shërbejë shumë pacientëve në disa shërbime kryesore që ne kemi këtu. Gjithashtu, ju falënderoj për marrëveshjen edhe për një bashkëpunim të vazhdueshëm. Është një bashkëpunim të cilin ne e vlerësojmë jashtë mase”, shtoi Paparizo.
Ky partneritet synon të ndërtojë një urë të fortë mes botës akademike dhe sistemit shëndetësor, ndërsa UET riafirmon filozofinë e tij të zhvillimit të qëndrueshëm dhe angazhimit qytetar, duke theksuar se përgjegjësia sociale mbetet një nga shtyllat kryesore të identitetit institucional.
Top Channel