Beton mbi veprën historike/ Alarm për punimet në Kalaja e Tepelenës, ngrihen dyshime për dëmtim të trashëgimisë

22/05/2026 15:20

Nën zhurmën e mjeteve të rënda dhe betonit, një nga monumentet më të rëndësishme historike të Shqipërisë po humbet identitetin e saj.

Gjatë punimeve në kala, mjete të tonazhit të rëndë po ndërhyjnë mbi strukturat historike, ndërsa në shumë zona vihet re betonizim që, sipas qytetarëve, po zëvendëson elementët autentikë të trashëgimisë.

Gurët historikë të epokës së Ali Pashë Tepelenës, që mbajnë mbi vete shekuj histori, po rrezikojnë të dëmtohen nga ndërhyrje që më shumë ngjajnë me një kantier ndërtimi sesa me restaurim monumenti kulture!

Ligji për Trashëgiminë Kulturore përcakton qartë se çdo ndërhyrje në monumente duhet të ruajë origjinalitetin historik dhe të kryhet me standarde të posaçme konservimi. Por pamjet nga Kalaja e Tepelenës tregojnë një tjetër realitet: beton, mjete të rënda dhe punime që kanë ngritur shqetësim.

Ndërkohë, edhe afati i punimeve rezulton i shkelur. Në tabelën zyrtare, projekti duhet të kishte përfunduar në gusht 2024, por jemi në vitin 2026 dhe ndërhyrjet vazhdojnë ende.

Top Channel