Aktivisti shqiptar u ndalua nga autoritetet izraelite, Ministria e Punëve të Jashtme: Baki Goxhaj është nisur drejt Shqipërisë

22/05/2026 08:53

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka bërë me dije se shqiptari Baki Goxhaj, i cili u ndalua nga autoritetet izraelite, është tashmë rrugës për t’u kthyer në Shqipëri.

Në një reagim në rrjetin social X, Hoxha deklaroi se strukturat e Shërbimit të Jashtëm shqiptar kanë ndjekur rastin që nga momenti i parë i sinjalizimit, në koordinim me institucionet shqiptare dhe në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet izraelite.

Sipas ministrit, Shqipëria ka kërkuar vazhdimisht respektimin e plotë të të drejtave të shtetasit shqiptar, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe normat humanitare.

Postimi i ministrit:

Shtetasi shqiptar, z. Baki Goxhaj, pjesëmarrës në flotiljen “Global Sumud”, është tashmë rrugës për në atdhe.

Që në momentin e parë të sinjalizimit, strukturat e #Shërbimit të Jashtëm, në bashkërendim me institucionet e tjera shqiptare kanë ndjekur pa ndërprerje çështjen, në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet izraelite.

#Shqipëria ka qenë e qartë dhe konsistente në kërkesën e saj për respektimin e plotë të të drejtave të shtetasit shqiptar, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe normat humanitare, duke reaguar kundër çdo forme trajtimi të papranueshëm.

Ky rast është një tjetër dëshmi e përkushtimit të përditshëm dhe e punës profesionale të Shërbimit të Jashtëm, përfshirë #përfaqësive tona #diplomatike dhe #konsullore, për t’u gjendur pranë qytetarëve shqiptarë në çdo kohë dhe në çdo rrethanë, me përgjegjësi, profesionalizëm dhe përkushtim të plotë institucional.

Ky është misioni ynë: të përfaqësojmë e mbrojmë interesat e Republikës së Shqipërisë dhe ato kombëtare, të jemi pranë #qytetarëve shqiptarë, veçanërisht në momentet kur ata kanë më shumë nevojë për mbështetjen, kujdesin dhe angazhimin e shtetit të tyre.

Top Channel