“Ata na rrahën, britmat dëgjoheshin edhe jashtë”, deputeti dhe gazetari italian tregojnë momentet e dhunës izraelite ndaj anëtarëve të Flotiljes Globale
Deputeti demokrati i Lushnjes ka ngritur sërish shqetësimet për sistemin e shëndetësisë, duke u ndalur te problematikat e qytetit që ai përfaqëson.
Korreshi ka akuzuar ministrinë e Shëndetësisë për neglizhencë dhe për mungesë të investimeve, ndërsa për herë të parë tregoi se kunati i tij 38 vjeç humbi jetën pak kohë më parë nga zemra, pasi sipas tij në spital nuk e diagnostikuan në kohë për shkak të mungesës së një EKG.
“Dhe po të tregoj një rast timin, se nuk e kisha bërë ndonjëherë politik, por po ta them… Kam pasur një humbje të madhe brenda familjes. Një muaj e gjysmë me parë shkon me urgjencë në spitalin e Lushnjes se i bie të fikët, i masin tensionin i bëjnë EKG, i thonë ik se nuk ke gjë. Për një EKO vdiq, sepse po të ishte konstatuar do ishte konstatuar me një eko zemër e zbardhuar dhe ai do ishte shpëtuar, se për kaq vdiq. Sepse kur unë mora 127 u përgjigj Tirana. ‘He ore qetësohu ti’, ‘ore jam deputeti, kam një rast 38 vjeç po vdes’, ‘duro të marrim Lushnjen, do të të marrë Lushnja ty në telefon’… Ç’është kjo more? Ju më tregoni shëndetësinë? Po ju8 keni qenë kafshë. Të merresh me jetën e njerëzve më së paku duhet të kesh dhembshuri të jesh ministër”, tha ai ndër të tjera.
Ministrja Evis Sala tha se pikërisht për spitalin e kësaj bashkie kanë nisur restaurimet, pasi godinat kanë qenë të viteve 90’ dhe kanë pasur dëmtime.
“Spitali Bashkiak Lushnjë mbulon mbi 63 mijë banorë dhe funksionon në godina të ndërtuara para viteve ’90, të cilat për dekada kanë pasur amortizim të konsiderueshëm infrastrukturor dhe teknik. Kjo nuk është një problematikë e krijuar sot. Është një trashëgimi shumëvjeçare, që për vite me radhë nuk mori investimet e nevojshme.
Pikërisht për këtë arsye, Spitali i Lushnjës është përfshirë në programin kombëtar të investimeve në infrastrukturën spitalore, të financuar nga buxheti i shtetit dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Investimi ka nisur gjatë vitit 2026 dhe punimet kanë filluar zyrtarisht më 4 mars. Fondi i planifikuar për këtë vit është rreth 82 milion lekë, ndërsa për vitin 2027 janë planifikuar rreth 236 milion lekë të tjera.
Ndërhyrja po realizohet në godinën nr. 3 të spitalit, ku funksiononin urgjenca, imazheria, kirurgjia, reanimacioni dhe patologjia. Paralelisht po kryhen ndërhyrje edhe në ambientet e lidhura me maternitetin dhe shërbimet mbështetëse, me synim përmirësimin e kushteve për nënat, të porsalindurit dhe pacientët në tërësi.
Ky nuk është një investim fasadë. Nuk është një lyerje muresh për fotografi propagandistike. Është një rikonstruksion i plotë infrastrukturor, që përfshin rehabilitimin e ambienteve spitalore, rikonstruksionin e rrjeteve teknike, përmirësimin e kushteve higjieno-sanitare, rritjen e sigurisë teknike dhe modernizimin e kushteve diagnostikuese e trajtuese.
Natyrisht, një ndërhyrje e këtij niveli sjell përkohësisht vështirësi operative. Por pyetja është: çfarë duhet të bënim? Të mos investonim fare? Të lëmë godinat të degradohen? Apo të mbyllnim shërbimet për qytetarët?
Ne kemi zgjedhur rrugën më të vështirë, por më të përgjegjshme: të investojmë duke garantuar vazhdimësinë e shërbimit.
Për këtë arsye është miratuar dhe po zbatohet një plan i përkohshëm riorganizimi dhe shërbimet e urgjencës, imazherisë, kirurgjisë dhe repartet e tjera vijojnë aktivitetin në ambiente të tjera funksionale të spitalit.
Ka një dallim të madh mes kritikës konstruktive dhe përpjekjes për të deformuar realitetin. Ne e mirëpresim kritikën që ndihmon për të përmirësuar sistemin. Por nuk mund të pranojmë retorikën që tenton të paraqesë spitalet publike si struktura të braktisura, ndërkohë që aty punohet çdo ditë, investohet çdo ditë dhe trajtohen mijëra qytetarë.
Është e lehtë të bësh opozitë me batuta. Më e vështirë është të ndërtosh spitale, të financosh aparatura dhe të mbash sistemin në punë gjatë rikonstruksionit, siç ne po bëjmë sot.
E ritheksoj edhe njëherë se, Spitali i Lushnjes është pjesë e një programi kombëtar investimesh në sistemin shëndetësor publik”, deklaroi ministrja Sala.”, tha ajo.
Top Channel