Magyar gati të pengojë rikthimin e mundshëm të Orban, propozon kufizimin e mandatit të kryeministrit deri në 8 vite

21/05/2026 19:32

Qeveria e re e Hungarisë, e udhëhequr nga Peter Magyar, ka propozuar një ndryshim kushtetues që synon të kufizojë mandatin e kryeministrit në maksimumi tetë vite, një masë që në praktikë do të pengonte rikthimin e Viktor Orban në krye të qeverisë.

Projekt-amendamenti u dorëzua këtë të mërkurë, pak më shumë se një javë pas formimit të kabinetit të ri, dhe përfaqëson hapin e parë të qeverisë së Magyar për të ndryshuar kushtetutën e hartuar dhe ndryshuar disa herë gjatë qeverisjes së gjatë të Orban.

Sipas propozimit, çdo person që ka shërbyer si kryeministër për një periudhë totale prej të paktën tetë vitesh nuk mund të rikandidojë më për këtë post, duke përfshirë edhe mandatet e mëparshme që nga viti 1990, kur Hungaria u demokratizua. Kjo do të nënkuptonte përjashtimin e Orban, i cili ka shërbyer rreth 20 vite në pushtet gjatë pesë mandateve.

Në dokument theksohet se kufizimi i mandateve është “thelbësor” për rikthimin e sundimit të ligjit dhe forcimin e balancave demokratike në vend.

Propozimi vjen në kuadër të një pakete më të gjerë reformash që synojnë të çmontojnë institucionet e krijuara gjatë qeverisjes së Orban, përfshirë edhe Zyrën e Mbrojtjes së Sovranitetit, e cila është kritikuar për mbikëqyrje të tepruar ndaj kundërshtarëve të qeverisë.

Qeveria e re ka deklaruar gjithashtu se do të rishikojë menaxhimin e fondeve dhe institucioneve publike, të cilat gjatë viteve të fundit janë kaluar nën kontrollin e fondacioneve të lidhura me besnikë të partisë së Orban.

Top Channel