Milan, me apo pa Champions do të ketë revolucion, Furlani drejt largimit, cili është pozicioni i Ibrahimovic e Allegrit

21/05/2026 23:06

Me apo pa Champions League te Milani do të ketë revolucion. Ditën e hënë, pak orë pas ndeshjes me Cagliarin që do të përcaktojë nëse kuqezinjtë do të jenë në kompeticionin më të rëndësishëm evropian për klube të sezonit të ardhshëm, klubi milanez do të kthejë faqe për të hapur një kapitull të ri.

Manovrat kanë nisur tashmë dhe në epokën e re, nëse nuk do të ketë ndonjë surprizë të madhe, nuk do të jetë Giorgio Furlani. Shefi Ekzekutiv aktual i Milanit do të largohet dhe tani te Milani kanë nisur kërkimet për pasuesin e tij. Ai që po merret me këtë çështje është Massimo Calvelli, anëtar i Këshillit Administrativ aktual të Milanit dhe krahu i djathtë i Gerry Cardinale. Calvelli, ish Shef Ekzekutiv i ATP, ishte në Genova bashkë me Cardinalen vetëm pak ditë më parë, do t’i takojë atij të zgjedhë Shefin e ri Ekzekutiv të Milanit. Kandidaturat janë disa, por nuk mund të përjashtohen profilet e huaj. Me fjalë të tjera do të niset gjithçka nga zero me Igli Taren dhe Zlatan Ibrahimovic që janë në dyshim. Tare është ai që ka më shumë shanse për t’u larguar nga Milani pas vetëm 1 viti, ndërsa roli i ish sulmuesit suedez do të ridimensionohet

Po Allegri? Një kualifikim i mundshëm i Milanit në Ligën e Kampioneve do të forconte pozitat e trajnerit livornez(do të aktivizohej automatikisht rinovimi për një tjetër sezon), por qëndrimi në pankinën kuqezi nuk është i sigurt. Hipoteza e drejtimit të Kombëtares italiane e tërheq shumë trajnerin toskan që do të pretendojë garancitë e duhura për të vijuar. Por në anën tjetër, kualifikimi në Champions do të rrisë impenjimet dhe kështu Milanit do t’i duhet një merkato në lartësinë e duhur. Gjithsesi deri të dielën mendja do të jetë vetëm te sfida me Cagliarit, ndërsa nga e hëna, sido që të shkojnë gjërat, pritet revolucioni te kuqezinjtë.

Top Channel