Rasti kurioz i Dro Fernandez, kampion i Spanjës dhe Francës brenda një sezoni
‘Duhet të jemi të bashkuar për të mirën e Milanit’-kështu është shprehur Massimiliano Allegri, një deklaratë kjo që nuk ishte e rastësishme me trajnerin toskan që prej kohësh po bën llogaritë me një Milan të përçarë.
Prania e më shumë rrymave te Milani nuk është më një mister dhe në fund të sezonit Gerry Cardinale mund të bëjë spastrime. E ardhmja kuqezi e Igli Tares është në rrezik, po kështu, edhe ajo e Giorgio Furlanit me këtë të fundit që është kritikuar ashpër nga grupimet e organizuara të tifozëve të Milanit.
Shefi Ekzekutiv aktual i Milanit prej kohësh ka hyrë në kontakte për Tony D’Amico, drejtorin sportiv të Atalantës që është drejt largimit nga klubi bergamask, për të nisur krijimin e një Milani të ri për sezonin 2026/27. Në këtë situatë, me shumë drejtues që rrezikojnë shkarkimin, mund të shohim rikthimin e Zlatan Ibrahimovic, njeriun e besuar të Cardinales. Sipas ‘Corriere Della Sera’, suedezi duket se është njeriu i fortë, në gatishmëri për të marrë sërish frerët e klubit kuqezi. Por, gjithnjë sipas ‘Corriere Della Sera’, raportet mes ish sulmuesit dhe Allegrit janë prishur që pas ndeshjes mes Napolit dhe Milanit.
Ajo që ndezi tensionet ishte zgjedhja e portierit të tretë në skuadër për sezonin e ardhshëm, një pretekst ky i dorës së dytë, por i mjaftueshëm për të ndezur gjakrat. Ajo çfarë ka bezdisur trajnerin Allegri, kanë qenë disa telefonuara të supozuara të Ibrahimovic ndaj Leaos dhe Fofana për t’iu dhënë këshilla taktike. Një ndërhyrje që nuk është pëlqyer nga trajneri kuqezi. Me këtë skenar, qëndrimi i Allegrit te Milani, pavarësisht dëshirës së tij, duket se është i komplikuar.
Top Channel