Real Madridi e ka humbur apelimin ndaj UEFA-s lidhur me gjobën e vendosur për thirrjet homofobike të tifozëve kundër trajnerit të Manchester City, Pep Guardiola, gjatë një ndeshjeje të Ligës së Kampionëve.

Klubi madrilen ishte gjobitur me 35 mijë dollarë pas incidenteve të ndodhura në përballjen ndaj Manchester Cityt në shkurt të vitit të kaluar, ndërsa tashmë Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) ka vendosur të lërë në fuqi dënimin.

Sipas vendimit të publikuar nga trupa gjykuese, brohoritjet e dëgjuara në stadium u konsideruan “me natyrë seriozisht diskriminuese, shumë më të rënda dhe të dëmshme sesa satira apo shakatë e pranueshme”.

Në dokumentin e publikuar nga CAS, gjyqtarët shpjeguan arsyet e refuzimit të apelimit të Real Madridit, duke theksuar se përmbajtja e thirrjeve kalonte kufijtë e sjelljes së pranueshme në futboll.

Brohoritja e tifozëve drejtuar Guardiolës përmbante referenca ndaj lagjes Chueca në Madrid, e njohur si qendër e komunitetit LGBTQ+, si dhe përmendje të HIV-it, çka u konsiderua nga UEFA dhe CAS si gjuhë diskriminuese dhe fyese.

Ngjarja kishte shkaktuar reagime të shumta në opinionin sportiv europian, ndërsa UEFA kishte vendosur menjëherë të hapte procedurë disiplinore ndaj klubit spanjoll.

Top Channel