“Reali trajtohet ndryshe nga klubet e tjera në botë”/ Arbeloa: Presidenti Perez kishte të drejtë, na janë mohuar 7 kampionate

13/05/2026 17:15

Álvaro Arbeloa ka dalë në mbështetje të plotë të presidentit të Real Madridit, Florentino Pérez, duke mbrojtur deklaratat e tij të forta lidhur me trajtimin që, sipas tyre, i është bërë klubit madrilen ndër vite.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes së nesërme ndaj Oviedos, Arbeloa u pyet për deklaratat e Florentino Pérez, i cili pretendoi se Real Madridit i janë “vjedhur” shtatë tituj të La Ligës gjatë viteve të fundit.

“A iu vodhën shtatë tituj të La Ligës Real Madridit? Sigurisht”, deklaroi Arbeloa, duke treguar qartë mbështetjen e tij ndaj presidentit të klubit.

Trajneri spanjoll theksoi se Florentino Pérez ka detyrimin të mbrojë interesat e klubit dhe tifozëve madrilenë.

“Nuk jam këtu për të komentuar konferencën për shtyp të presidentit, por çdo tifoz i Real Madridit që e dëgjoi dje do të pajtohet se ai duhet të mbrojë interesat e anëtarëve të klubit. Real Madridi trajtohet ndryshe nga klubet e tjera në botë”, u shpreh Arbeloa.

Ai shtoi se shumë gjëra kanë ndodhur në futbollin spanjoll gjatë dy dekadave të fundit dhe la të kuptohet se ka elemente të panjohura për publikun.

“Të gjithë e dimë se çfarë ka ndodhur në 20 vitet e fundit. Jam i sigurt se ka gjëra që nuk i dimë. Duket e pabesueshme që vetëm Real Madridi dëshiron të mbrojë sundimin e ligjit në futboll. Kjo është një ndjenjë që ndahet nga të gjithë tifozët tanë”, deklaroi ai.

Arbeloa foli edhe për atë që e quajti “standard i dyfishtë” ndaj klubit madrilen, duke theksuar se kritikat ndaj Real Madridit janë të vazhdueshme, pavarësisht suksesit të madh të ekipit në arenën europiane.

“Standardi i dyfishtë ka qenë gjithmonë aty. Nuk mund të mohojmë që nuk kemi fituar një titull për dy vite. Por sa ekipe kanë qëndruar më gjatë pa një titull?”, tha ai.

Në fund, trajneri i Real Madridit vlerësoi sukseset e klubit në Champions League dhe mbrojti tifozët madrilenë nga kritikat.

“Sa ekipe kanë fituar Kupat e Europës që kemi fituar ne vitet e fundit? Nuk mendoj se tifozët janë budallenj. Ajo që i lëndon është keqtrajtimi i përditshëm nga kaq shumë njerëz”, përfundoi Arbeloa.

Top Channel