Milani është zhytur sërish në një krizë të thellë. Pas një pjese të parë të sezonit të shkëlqyer gjatë të cilit kuqezinjtë ishin gjithnjë shumë pranë vendit të parë, në muajt e fundit skuadra e drejtuar nga Massimiliano Allegri pësoi një rënie drastike aq sa tani rrezikon kualifikimin në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm e për më tepër tani ka më pak pikë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kur në pankinë ishte Sergio Conceiçao me portugezin që qëndroi vetëm 6 muaj në stolin e Milanit.

Tekniku portugez që aktualisht është në Arabinë Saudite në stolin e Al Ittihad foli për problemet që kanë pushtuar Milanin duke iu kthyer edhe eksperiencës së tij me kuqezinjtë

‘Më kërkuan të përfundoja një punë në të cilën Fonseca kishte hasur vështirësi, edhe pse ai është një trajner shumë i mirë-tha Conceiçao në një intervistë për La Repubblica-gjeta një grup që donte të punonte; ishte Superkupa italiane në Arabi, mundëm Juventusin dhe Interin dhe fituam’

Imazhi i tij duke festuar me puro u bë ikonik dhe luzitani foli edhe për të

‘Festimi me puro është emblema ime, pastaj këtu në Arabi jam afeksionuar shumë me purot e mia duke qenë se konsumimi i verës nuk lejohet-vijoi Conceiçao

Sergio Conceiçao u kthye sërish te Milani dhe ajo çfarë ndodhi pas fitores së Superkupës.

‘Në Milano gjeta një situatë të vështirë, mjafton të mendosh që pas barazimit me Cagliarin nisën të qarkullonin zërat për zëvendësuesin tim dhe askush nga drejtuesit nuk i përgënjeshtronte-vijoi Conceiçao-kam pasur eksperiencë në disa dhoma zhveshjes dhe mund t’ju them se destabiliteti i ambientit vjen edhe prej aty; nuk ishte e lehtë të luaje me tifozët që braktisnin stadiumin. Dhe me rrjetet sociale, ajo që thuhej për ne shkonte te futbollistët. Duhej një mbrojtje më e madhe nga klubi. Nëse klubi nuk është i fortë, as skuadra nuk është e fortë’

Kush ishin liderët të Milani? ‘Lider është ai që jep shembullin, edhe me mënyrën e sjelljes jashtë fushe-vijoi Conceiçao-Pulisic dhe Gabbia, psh, ishin liderë, por nuk ishin të vetmit’.

Top Channel