Guida nepalez vdes pasi bie në një përrua në Everest, vdekja e pestë që nga fillimi i sezonit
Netflix po përballet me një padi të rëndë nga shteti i Teksasit, ku autoritetet e akuzojnë platformën e transmetimit për mbledhje të fshehtë të të dhënave të përdoruesve, përfshirë edhe të miturit, si dhe për përdorimin e funksioneve që nxisin varësinë nga përmbajtja.
Padia është ngritur nga Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit, Ken Paxton, i cili pretendon se kompania ka “spiunuar” qytetarët duke regjistruar miliarda të dhëna mbi sjelljen e tyre në platformë.
Sipas autoriteteve, çdo ndërveprim i përdoruesve në Netflix është kthyer në një “pikë të dhënash”, duke përfshirë zgjedhjet e përmbajtjes, kohën që përdoruesit kalonin mbi tituj apo imazhe të caktuara, si dhe lëvizjet e mausit dhe pauzat gjatë navigimit. Padia pretendon se Netflix, ndërsa publikisht prezantohej si një alternativë më private ndaj kompanive të mëdha të teknologjisë, në të vërtetë ka ndërtuar një sistem të gjerë monitorimi të përdoruesve.
Në dokumente përmenden edhe deklaratat e ish-drejtorit ekzekiv të kompanisë, Reed Hastings, i cili në vitet 2019 dhe 2020 kishte deklaruar se kompania nuk komercializonte të dhënat e përdoruesve për reklama.
Autoritetet e Teksasit pretendojnë se që nga viti 2022 Netflix ka filluar të shfrytëzojë në mënyrë agresive të dhënat e mbledhura nga familjet dhe fëmijët, duke i ndarë ato me ndërmjetës komercialë të të dhënave dhe duke gjeneruar miliarda dollarë të ardhura.
Padia kritikon gjithashtu përdorimin e funksioneve si “autoplay” dhe mekanizmave të tjerë që, sipas prokurorisë, janë krijuar për të mbajtur përdoruesit sa më gjatë në platformë dhe për të nxitur konsum të pafund të përmbajtjes.
Nga ana tjetër, Netflix i ka mohuar kategorikisht akuzat. Në një deklaratë për Reuters, kompania tha se padia është “pa bazë” dhe e mbështetur në informacione “të pasakta dhe mashtruese”.
“Netflix e merr seriozisht privatësinë e anëtarëve të tij dhe respekton ligjet për mbrojtjen e të dhënave në çdo vend ku operon,” deklaroi zëdhënësi i kompanisë.
Autoritetet e Teksasit kërkojnë që gjykata të urdhërojë Netflix të fshijë të gjitha të dhënat e mbledhura në mënyrë të paligjshme nga banorët e shtetit, të ndalojë përdorimin e tyre për reklama të synuara dhe të çaktivizojë automatikisht funksionin “autoplay” në profilet e fëmijëve. Çështja vjen në një moment kur platformat e mëdha dixhitale po përballen me presion në rritje për mënyrën sesi dizajni i aplikacioneve dhe algoritmet mund të ndikojnë në sjelljen dhe varësinë e përdoruesve.
Top Channel