Guida nepalez vdes pasi bie në një përrua në Everest, vdekja e pestë që nga fillimi i sezonit
eBay ka refuzuar zyrtarisht ofertën e blerjes të paraqitur nga GameStop, e cila e vlerësonte kompaninë në rreth 56 miliardë dollarë, duke shkaktuar reagime të forta dhe skepticizëm në Wall Street.
Oferta parashikonte që gjysma e shumës të paguhej në para të gatshme dhe pjesa tjetër në aksione të GameStop. Megjithatë, shumë analistë ngritën menjëherë pikëpyetje mbi aftësinë financiare të kompanisë së videolojërave për të realizuar një marrëveshje kaq të madhe, duke qenë se kapitalizimi i saj në treg llogaritet rreth 12 miliardë dollarë.
Pas publikimit të lajmit, aksionet e eBay ranë me 1.1% në tregtimin para hapjes së bursës, ndërsa aksionet e GameStop humbën gati 4% të vlerës së tyre.
Kryetari i bordit të eBay, Paul Pressler, në një letër drejtuar drejtuesve të GameStop, e cilësoi ofertën si “jo bindëse dhe jo tërheqëse”, duke theksuar se kompania beson tek strategjia aktuale dhe aftësia e ekipit drejtues për të siguruar rritje afatgjatë.
Megjithatë, refuzimi nuk duket se e ka ndalur CEO-n e GameStop, Ryan Cohen, i cili ka sinjalizuar se mund të ndjekë një strategji më agresive, duke iu drejtuar drejtpërdrejt aksionarëve të eBay dhe madje duke kërkuar një mbledhje të jashtëzakonshme të përgjithshme.
Sipas Cohen, bashkimi i dy kompanive mund të krijojë sinergji të mëdha ekonomike dhe të ulë ndjeshëm kostot operative. Ai argumenton se rrjeti prej rreth 600 dyqanesh fizike të GameStop në SHBA mund të përdoret për të forcuar praninë dhe konkurrueshmërinë e eBay kundër gjigantëve si Amazon. Debati mbi ofertën ka rikthyer vëmendjen tek strategjia e GameStop dhe përpjekjet e saj për t’u transformuar nga një shitës tradicional videolojërash në një kompani më të madhe teknologjike dhe tregtare online.
Top Channel