Nga Ruçi, Dokle e Dade te Topi, Mediu e Gjekmarkaj/ Politikanë të majtë e të djathtë i japin lamtumirën profesorit të socialistëve, Servet Pëllumbi (FOTOT) Një prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, në politikë por edhe në jetën e përditshme, Namik Dokle, i dha lamtumirën e fundit Servet Pëllumbit duke e quajtur një protagonist të historisë udhëheqëse të PS-së por edhe të vetë Shqipërisë.
“Shumë e vështirë qenka ti mbledhësh fjalët që do thuash në lamtumirën e një njeriu të dashur, bashkëudhëtarit të viteve kur kishte më shumë tronditje se vetëpërmbajtje, të viteve kur në vend të dyshimit duhej besimi, në vend të urrejtjes duhej dashuria. Një jetë e tërë njerëzore dhe politike që nga dita e parë e themelimit të PS-së, në betejat e vështira opozitare, në mundimet e ndërtimit të një shoqërie normale për njerëzit. Ai gjithmonë ishte aty, ku duhej më shumë mençuri, më shumë kurajo. Për këtë arsye të gjithë e quajtën profesori i socialistëve”, tha Dokle.
“Profesor Servet Pëllumbi ishte protagonist i historisë udhëheqëse të PS-së në një kohë të vështirë dhe të rëndë të tranzicionit politik. Urtësia, qytetaria shembullore i shërbyen jo vetëm PS-së, por gjithë shoqërisë. Profesor Pëllumbi ishte ndër të paktët që kuptoi se e ardhmja nuk është më ajo që ishte dhe iu përkushtua si mendimtar e udhëheqës politik, si veprimtar dhe organizator ndërtimit të një demokracie reale, të padeformuar nga ambicie të errëta, nga mllefi dhe bajraktarizmi, nga makutëria dhe mashtrimi”.
Në fjalimin e lamtumirës, Dokle kujtoi kontributin e Servet Pëllumbit në drejtimin e socialistëve në vitet e para pas rënies së komunizmit.
“Në periudhën më të vështirë të socialistëve në opozitë, kur kryetari Nano ishte në burg, mbajti mbi supe përgjegjësi të mëdha, i përballoi ato me sakrificë dhe e drejtoi partinë me maturi, guxim dhe integritet. Ishte sinonim i ndershmërisë dhe përkushtimit. Ka merita të padiskutueshme në modernizmin europian të PS-së dhe ndërtimin e një demokracie të brendshme të pazakontë”.
“Duke folur sot në lamtumirën e njeriut me të cilën patëm një miqësi të pakushtëzuar, kujtoi një lamtumirë tjetër plot 30 vjet më parë. Po kthehesha nga një udhëtim jashtë shtetit me merakun se kisha lënë nënën të sëmurë dhe në aeroport më priti profesor Serveti. “Pse paske dalë profesor?, e pyeta. “Dola për ty”, më tha. “Ah, më paska lënë nëna”. Dhe atë përqafim të tij nuk mund ta harroj kurrë”, deklaroi Dokle.
Top Channel