Rama kujton masakrën zgjedhore të 1996: Një datë dhe dy botë të ndryshme, Shqipëria sot një hap pranë BE
Pesë persona janë arrestuar, mes tyre tre shqiptarë pasi jahti i tyre që po transportonte shtatë emigrantë drejt Mbretërisë së Bashkuar në mënyrë të paligjshme u ndalua në brigjet jugore të Anglisë.
Sipas ‘National Crime Agency’, të cilës i referohet Top Channel oficerët e Forcës Kufitare britanike ndërhynë sapo jahti mbërriti në marinën e Chichester, në West Sussex, mbrëmjen e së hënës, 25 maj.
Dy anëtarë të ekuipazhit, një britanik 42-vjeçar dhe një 25-vjeçar shqiptar, u arrestuan nën dyshimin për lehtësim të emigracionit të paligjshëm drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Autoritetet identifikuan gjithashtu edhe tre persona të tjerë, një britanik 38 vjeç dhe dy shqiptarë të tjerë të moshave 24 dhe 32 vjeç, të cilët dyshohet se kishin shkuar në port për të pritur jahtin. Edhe ata u arrestuan për vepra që lidhen me trafikimin e emigrantëve.
Tre prej tyre u liruan me kusht, në pritje të hetimeve të mëtejshme, ndërsa dy shtetasit shqiptarë, 25 dhe 32 vjeç, vijojnë të mbahen në paraburgim për shkelje të ligjeve të emigracionit.
Shtatë personat e gjetur në jaht, të gjithë shtetas shqiptarë, do t’u nënshtrohen procedurave nga autoritetet britanike të emigracionit.
Komandanti i degës së NCA-së, Saju Sasikumar, deklaroi se lufta kundër krimit të organizuar të emigracionit mbetet një prioritet kryesor për agjencinë.
Ndërkohë, ministri britanik për Sigurinë Kufitare dhe Azilin, Alex Norris, tha se autoritetet do të përdorin të gjitha kompetencat për të goditur rrjetet e kontrabandës së emigrantëve dhe për të sjellë para drejtësisë personat e përfshirë.
Top Channel