Forumi politik i IDU në Zagreb, Berisha: Diskutova problematikat e Shqipërisë, PD-ja e angazhuar në integrimin drejt BE

01/05/2026 20:28

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar çështjet që ka diskutuar në Forumin politik të IDU-së që po zhvillohet në Zagreb të Kroacisë.

Kryetari i PD-së theksoi se IDU ka qenë dhe mbetet një mbështetëse e rëndësishme e Partisë Demokratike, ndërsa theksoi angazhimin e plotë të partisë që ai drejton për integrimin evropian, duke e konsideruar atë si të ardhmen më të mirë për shqiptarët.

“IDU ka qenë një mbështetëse e madhe dhe është një mbështetëse e madhe e Partisë Demokratike. Paraqitëm situatën dhe zhvillimet në vend, shkarjet e mëdha të Shqipërisë nën regjimin e autokracisë elektorale apo diktaturës autoritare të Edi Ramës, problematikat e mëdha që krijon në Shqipëri droga dhe narkoshteti, paraliza që i bën shtetit ligjor.

Diskutuam gjerësisht dhe ramë dakord për një bashkëpunim në rritje midis Partisë Demokratike dhe IDU-së në kuadrin e anëtarësisë në këtë organizatë që kemi.

Kam takuar këtu edhe miq të tjerë, siç e patë, ishim në një panel kushtuar problemeve të zgjerimit, me personalitete, me ministra të Jashtëm të Kroacisë, me Komisionerin e Lartë të Bashkimit Evropian për Bosnjë-Hercegovinën, me ministrin e jashtëm të Maqedonisë.

Në këtë panel, i cili drejtohej nga përfaqësues i lartë i Institutit Republikan, në këtë panel pata rastin të paraqes problematikat e mëdha me të cilat përballet Shqipëria sot, angazhimin e madh të Partisë Demokratike për integrimin e Shqipërisë në Evropë si të ardhmen më të mirë të shqiptarëve, por dhe pengesat jashtëzakonisht serioze, siç është shndërrimi i zgjedhjeve në farsë elektorale për shkak të pushtetit, droga dhe narkoshteti si faktor rrënues të qenies shqiptare”, tha Berisha.

Top Channel