Kreu i Policisë së Shtetit takim me strukturat e komisariatit të Krujës, kërkon arrestimin e të kërkuarit Ylli Zalla

29/04/2026 20:46

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, pas inaugurimit të Komisariatit të Policisë Krujë, me prezencën e Ministrit të Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, zhvilloi një takim pune me efektivat e këtij komisariati.

Hita kërkoi nga drejtuesit dhe efektivët e Policisë së Krujës punë profesionale për sigurimin e informacionit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, identifikimin dhe goditjen e financuesve dhe trafikantëve të kanabisit, si dhe kapjen e personave në kërkim, duke u ndalur te një i kërkuar që, sa herë ushtron kontroll Policia, i gjenden armë në banesë dhe ende nuk është kapur.

Mësohet se bëhet fjalë për të kërkuarin Ylli Zalla, i cili ndodhet në arrati por i janë gjetur armë në banesë.

“Armëmbajtja pa leje, krimet mjedisore, si dhe ndjekja në dinamikë e shqetësimeve të qytetarëve”, ishin kërkesat e drejtorit të Policisë.

Më tej, Drejtori kërkoi performancë më të mirë nga punonjësit e Policisë, duke theksuar se ambientet e reja ku do të punojnë kërkojnë një performancë tjetër, me qëllim që qytetarët të marrin një shërbim sa më cilësor.

Top Channel