Video/ Momenti i sikletshëm në darkën me Mbretin Charles, Melania i heq dorën Trump gjatë fotos me monarkun britanik
Të paktën gjashtë anije kanë kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit gjatë 24 orëve të fundit, sipas të dhënave të transportit detar, ndërsa vijon tensioni mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për rihapjen e kësaj rruge ujore jetike për ekonominë globale.
Sipas të dhënave nga kompanitë e monitorimit detar, anijet kanë kaluar kryesisht nëpër ujërat territoriale iraniane. Mes tyre ishte edhe cisterna kimike “Vast Plus”, e cila ndodhet nën sanksione amerikane. Shumica e mjeteve lundruese ishin anije mallrash të thata, ndërsa nuk është e qartë nëse ka pasur kalime të tjera.
Mesatarisht, rreth shtatë anije kanë kaluar çdo ditë gjatë ditëve të fundit, një rënie e ndjeshme krahasuar me trafikun normal në Gjirin Persik.
Para nisjes së konfliktit më 28 shkurt, në këtë korridor detar kalonin çdo ditë nga 125 deri në 140 anije.
Ndërkohë, Donald Trump i ka bërë thirrje Iranit të “veprojë me zgjuarsi dhe shpejt” për të arritur një marrëveshje, ndërsa mediat amerikane raportojnë se Uashingtoni synon të zgjasë bllokadën ndaj porteve iraniane.
Nga ana tjetër, zyrtarët iranianë kanë propozuar vendosjen e tarifave për anijet që kalojnë nëpër Ngushticë. Megjithatë, Departamenti i Thesarit i SHBA-së ka paralajmëruar se kompanitë e transportit detar që paguajnë autoritetet iraniane ose Gardën Revolucionare për kalim të sigurt rrezikojnë të përballen me sanksione.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi se mundësia e një bllokade të zgjatur të porteve iraniane “për shumë muaj” është diskutuar nga Trump gjatë një takimi me drejtues të industrisë së naftës.
Top Channel