FIFA, Gianni Infantino në Vancouver, policia refuzon kërkesën për një super shërbim sigurie
FIFA po shqyrton mundësinë për ta bërë të detyrueshme praninë e të paktën një lojtari nën moshën 21 vjeç në formacionin titullar.
Siç bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare, ky propozim është hartuar tashmë nga komisione të ndryshme dhe ka shumë gjasë të nisë zbatimin nga viti 2027. Ky synim i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA) për t’i detyruar klubet që të kenë në fushë në çdo moment të paktën një lojtar U21, pritet të shkaktojë një “tërmet” të vërtetë në botën e futbollit.
Ky nuk është thjesht një projekt teorik, por një plan i detajuar. Konsultimet e para janë kryer tashmë dhe Këshilli i FIFA-s ka dhënë miratimin fillestar. Burime pranë organizatës, të cilat folën në kushte anonimiteti, bënë me dije se mbrëmjen e së hënës u zhvilluan diskutime pozitive mes presidentëve të gjashtë konfederatave. Qëllimi kryesor i këtij ndryshimi është nxitja e zhvillimit të talenteve të reja. Gjithashtu, diskutimet e radhës do të përqendrohen te përkufizimi i saktë i “lojtarit vendas” (home-grown player). Pasi aktualisht ekzistojnë dallime të mëdha mes konfederatave, FIFA synon të vendosë një model të përbashkët që do të inkurajonte aktivizimin e rregullt të të rinjve në ndeshje zyrtare.
Për shembull, rregullat aktuale të Premier League përcaktojnë që në listën prej 25 lojtarësh, një ekip nuk mund të ketë më shumë se 17 lojtarë “jo vendas”, duke lënë kështu tetë vende për ata që plotësojnë kriteret e rritjes në akademi. Megjithatë, ky rregull nuk përfshin lojtarët e moshave U21, të cilët mund të luajnë pa u regjistruar në listën kryesore, dhe as nuk dikton mënyrën se si duhen aktivizuar ata në fushë.
Gjatë këtij sezoni, Newcastle, Manchester City dhe Manchester United janë klubet që kanë regjistruar më shumë minuta me lojtarë anglezë nën 21 vjeç. Manchester United, veçanërisht, mban një rekord historik duke përfshirë të paktën një lojtar të akademisë në skuadër për 88 vite rresht. Në krahun tjetër, klube si Leeds dhe Burnley nuk kanë aktivizuar asnjë lojtar të kësaj kategorie në ligë gjatë sezonit 2025-26.
Kjo kuotë e propozuar mund të ndryshojë rrënjësisht edhe strategjitë në tregun e transferimeve. Lojtarët e rritur në akademi përfaqësojnë “fitim të pastër” për klubet në rast shitjeje, një lëvizje që shpesh përdoret për të shmangur shkeljet e Rregullave të Rentabilitetit dhe Qëndrueshmërisë Financiare (PSR).
Top Channel