“Ekonomia u rrit, borxhi u ul”/ Raporti i Bankës Botërore për Shqipërinë: Pasojat e luftës mund të ngadalësojnë rritjen

29/04/2026 15:09

Rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të ngadalësohet, teksa lufta në Lindjen e Mesme dhe pasiguritë gjeopolitike po rrisin kostot e importeve, veçanërisht për energjinë, duke goditur fuqinë blerëse dhe perspektivën e ekonomisë.

Raporti i fundit i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, “Përshtatja me goditjet, aktivizimi i potencialit të pashfrytëzuar”, thekson se ndikimi do të vijë përmes çmimeve më të larta dhe ndërprerjeve tregtare, ndërsa rritja ekonomike kërkon më shumë rezistencë.

“Rritja ekonomike e Shqipërisë parashikohet të ngadalësohet, sepse çmimet më të larta të energjisë dhe ndërprerjet e tregtisë, të lidhura me situatën në Lindjen e Mesme, po ndikojnë negativisht në fuqinë blerëse. Rritja e çmimeve po ndikon drejtpërdrejt në buxhetet e familjeve”, tha menaxheri i zyrës së grupit të Bankës Botërore për Shqipërinë, Massimiliano Paolucci.

Megjithatë, sipas raportit, ekonomia shqiptare ka ruajtur qëndrueshmëri, e mbështetur kryesisht nga shërbimet dhe ndërtimi, me turizmin që vijon të japë kontribut të rëndësishëm në rritje dhe në përmirësimin e bilancit të llogarisë korrekte.

Por sfidë mbetet tregu i punës. Rënia e papunësisë, sipas raportit, lidhet më shumë me tkurrjen e fuqisë punëtore nga emigracioni dhe plakja e popullsisë sesa me rritje të fortë të punësimit. Në këtë panoramë, Banka Botërore thekson se ruajtja e ritmit të rritjes kërkon reforma më të thella dhe mobilizim të kapitalit njerëzor të pashfrytëzuar.

“Ekonomia e Shqipërisë vijon të tregojë qëndrueshmëri, por ruajtja e këtij momenti kërkon reforma të guximshme strukturore. Përshpejtimi i reformave drejt anëtarësimit në BE, më shumë investime në kapitalin njerëzor dhe infrastrukturën digjitale, si dhe mobilizimi i kapitalit privat do të nxisë investimet, do të krijojë vende pune dhe do të përshpejtojë konvergjencën me BE-në”, tha menaxheri i zyrës së grupit të Bankës Botërore për Shqipërinë, Massimiliano Paolucci.

Sipas raportit, rritja ekonomike e kombinuar e Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Kosovës dhe Malit të Zi pritet të bjerë në 2.8 për qind gjatë vitit 2026, përpara se të rikuperohet në 3.2 për qind në vitin 2027.

Top Channel