IFAB ndryshon rregulloren, kartonë të kuq për lojtarët që mbulojnë gojën dhe ata që braktisin ndeshjen si protestë ndaj arbitrit

28/04/2026 21:39

Gjatë Asamblesë së Përgjithshme të IFAB të mbajtur në Uells në muajin maj u arrit marrëveshja që në Botëror të aplikohet një rregull i ri, që do të ndëshkojë futbollistët që mbulojnë gojën në fushën e lojës gjatë një diskutimi me rivalët. Këtë të martë IFAB e miratoi këtë rregull në mënyrë unanime këtë nismë.

Presidenti i FIFA, Gianni Infantino ka qenë nismëtari kryesor për vendosjen e këtij rregulli që do të evitojë raste si ai i Prestianni që ditët e fundit u dënua me 6 ndeshje pezullime për fyerje homofobike ndaj Vinicius, me brazilianin që në fakt e kishte dënuar për fyerje raciste

Fakti që Prestianni e kishte mbuluar gojën e bëri të pamundur që të vërtetohet që argjentinasi i Benficës i ishte drejtuar sulmuesit të Realit të Madridit me fyerje raciste. FIFA këtë dëshiron të evitojë dhe ideja është që futbollisti që mbulon gojën në momentin që i drejtohet kundërshtarit të tij të dënohet me karton të kuq.

Megjithatë, jo të gjithë menduan se kjo ishte zgjidhja më e mirë për të evituar konflikte të tilla. Në fakt, FIFA, studioi me disa Konfederata aplikimin e normatives së re gjatë Këshillit Botëror të mbajtur në Vancouver të Kanadasë. Një nga pikat e axhendës fliste për një mbledhje të jashtëzakonshme të IFAB, organi që përcakton rregullat e lojës dhe që në fund i dha dritën jeshile këtij rregulli

Po kështu IFAB, i dha dritën jeshile një tjetër ndryshimi në rregullore që ka të bëjë me braktisjen e fushës nga ana e futbollistëve të një skuadre në shenjë proteste ndaj një vendimi të arbitrit. ‘Do të dënohet me karton të kuq çdo futbollist që braktis fushën e lojës në shenjë proteste ndaj një vendimi të arbitrit. Kjo normë do të aplikohet edhe për çdo anëtar të stafit teknik që nxit futbollistët të braktisin fushën e lojës’-thotë normativa e re e miratuar nga IFAB.

Top Channel