Google thuhet se ka nënshkruar një marrëveshje me Departamentin e Mbrojtjes së SHBA-së për përdorimin e modeleve të saj të inteligjencës artificiale në projekte të klasifikuara, duke iu bashkuar një liste në rritje kompanish të Silicon Valley që bashkëpunojnë me ushtrinë amerikane.

Sipas raportimit të The Guardian dhe faqes The Information, marrëveshja i lejon Pentagonit të përdorë teknologjinë e AI të Google për “çdo qëllim legjitim qeveritar”, përfshirë detyra të ndjeshme si planifikimi i misioneve dhe identifikimi i objektivave në rrjete sekrete.
Ky zhvillim e vendos Google përkrah kompanive si OpenAI, Anthropic dhe xAI, të cilat kanë lidhur kontrata të ngjashme me Pentagonin, me vlerë deri në 200 milionë dollarë secila gjatë vitit 2025.
Raportet tregojnë se qeveria amerikane ka ushtruar presion mbi kompanitë e inteligjencës artificiale për të vënë në dispozicion mjetet e tyre në rrjete të klasifikuara, madje edhe pa disa nga kufizimet standarde për përdoruesit. Në këtë kuadër, marrëveshja parashikon që Google të ndihmojë në përshtatjen e filtrave dhe parametrave të sigurisë sipas kërkesave të qeverisë.
Kontrata përfshin gjithashtu një klauzolë që ndalon përdorimin e inteligjencës artificiale për mbikëqyrje masive vendase ose armë autonome pa mbikëqyrje njerëzore, por thekson se kompania nuk ka të drejtë të ndërhyjë apo të vendosë veto mbi vendimet operative të qeverisë.
Megjithatë, marrëveshje të tilla kanë nxitur debat dhe kundërshtime të forta brenda kompanive teknologjike. Sipas raportimeve, punonjës të Google kanë shprehur shqetësime se puna e tyre mund të përdoret në mënyra “çnjerëzore ose jashtëzakonisht të dëmshme”, duke thelluar tensionet mes sektorit privat dhe institucioneve ushtarake.

Top Channel