Claudio Ranieri largohet nga Roma, çfarë do të ndodhë me Gasperinin? Skenarët e mundshëm…
Po punohet për arritjen e një marrëveshjeje të pranueshme nga të dyja palët me 74-vjeçarin që do të largohet.
Historia midis Claudio Ranierit dhe Romës praktikisht ka përfunduar. Familja Friedkin pritet të dalë me një njoftim zyrtar në orët në vijim, ku do të bëhet i ditur vendimi i marrë pas shpërthimit të Këshilltarit të Lartë aktual kundër Gasperinit më 16 prill. Deklarata e tij se “tre trajnerë para tij i thanë ‘jo’ Romës” dhe largimi i Ranierit krijuan një përçarje me trajnerin aktual të verdhekuqve. Ky shpërthim publik nuk u pëlqye as nga pronarët amerikanë, të cilët, pas shqyrtimit të rrethanave, zgjodhën ndarjen.
Aktualisht, po punohet për një zgjidhje me konsensus, në mënyrë që palët të mos ndahen me tension. Ranieri, i cili u rikthye te Roma në nëntor të vitit 2024, pothuajse siguroi një vend në Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar, duke mbetur jashtë për vetëm një pikë. Më pas, ai kaloi në një rol drejtues si Këshilltar i Lartë (Senior Advisor), një pozicion konsulenti për stafin drejtues të klubit, me një kontratë të vlefshme deri në vitin 2027.
Megjithatë, 74-vjeçari nuk e përmbushi plotësisht këtë rol, pasi thuhet se u përfshi në çështje që nuk ishin kompetencë e tij. Kjo, së bashku me komentet publike për Gasperinin, i shtyu drejtuesit Friedkin drejt ndryshimit. Ky është një ndryshim rrënjësor në një kohë delikate, kur planet për sezonin e ardhshëm po hartohen tashmë. Gjithashtu, pritet të largohet edhe Ricky Massara, krahu i djathtë i Ranierit.
Roma do ta mbyllë sezonin me Gasperinin si të vetmin në krye të pankinës. Deri më tani, ai duket se e ka fituar “duelin” me Ranierin, por e ardhmja e ish-teknikut të Atalantës në kryeqytet mbetet ende e paqartë.
Top Channel