Hap pas hapi, po bëhet gjithnjë e më i qartë drejtimi që po merr Juventusi i ri. Në qendër të gjithçkaje është pikërisht trajneri Luciano Spalletti që tashmë ka rinovuar kontratën, një dhuratë kjo e klubit torinez për faktin që ai e ringriti skuadrën dhe tani kërkon të kompletojë rrugëtimin e tij me kualifikimin për në Ligën e Kampioneve të sezonit të ardhshëm.

Në Serie A, më mirë se ai, që nga momenti kur mori drejtimin e Zonjës së Vjetër në tetor, ka bërë vetëm Interi, që pritet të jenë kampionët e Italisë.

Spalletti qëndroi te Juventusi pasi mori garancitë nga klubi për një merkato ambiciozë për të tentuar fitimin e titullit kampion

Portierë; Alisson apo De Gea? Di Gregorio pranë largimit

Çdo repart ka nevojë për modifikime duke përfshirë edhe portën. Duke imagjinuar një skemë të mundshme 4-2-3-1, mes shtyllave mund të jetë një fytyrë e re si ajo e Alisson, një emër i njohur ky për Spallettin që ka punuar me të kur ishin te Roma. Alternativa e tij mund të vijë nga Serie A, me eksperiencën e De Geas, që aktualisht është te Fiorentina. Profile të ndryshme, por që kanë si emërues të përbashkët numrin e madh të ndeshjeve të zhvilluara në nivelet maksimale të futbollit. Kjo do të thotë se Di Gregorio me shumë mundësi do të largohet edhe pse e ka marrë vetën pas vështirësive që pati në fillim të 2026, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që Perin të qëndrojë si portier i dytë

Mbrojtja; pritet të paktën një qendërmbrojës, e ardhmja e Bremer për t’u vlerësuar

Në mbrojtje gjithçka do të varet nga e ardhmja e Gleison Bremer. Braziliani ka filluar të shfaqet më mirë në fushën e lojës pas dëmtimit të gjatë dhe ka përpara një Botëror që mund të ndryshojë kuotimin e tij në merkato. Në kontratën aktuale me Juventusin ka një klauzolë prej 58 milionë euro e aktivizueshme nga çdo klub italian apo i huaj brenda 10 gushtit të 2026. Largimi i tij do të bënte që klubi të reflektonte për revolucionarizimin e repartit të prapavijës që do të mund të ketë Kalulu dhe Cambiaso në krahë. Sidoqoftë, te Juventus do të vijë një qendërmbrojtës; mes objektivave kryesore është ende Senesi kontrata e të cilit me Bournemouth po shkon drejt fundit, ndërkohë që pavarësisht interesit të Interit, mbetet e hapur edhe pista Muharemovic të Sassuolos duke parë se Juventus ka në favorin e saj klauzolën e përfitimit të masës prej 50% të të ardhurave nga një shitje e ardhshme të tij. Për t’u përcaktuar është e ardhmja edhe për Kelly dhe Gatti

Mesfusha; dëshira për të pasur një lojtar klasi, Bernardo Silva dhe Goretzka në shënjestër

Të reja të rëndësishme pritet të ketë edhe në mesin e fushës, ku Juventus e ka blinduar tashmë kapitenin e tij, Locatelli me rinovimin e kontratës. Sirenat e merkatos nuk duken se janë afër për Thuram, ndërsa Koopmeiners është i destinuar të largohet dhe kështu klubi torines do të kërkojë përforcime pikërisht në atë zonë të fushës. Identikit shumë i mirë është ai i Goretzkës që është gati t’i japë lamtumirën Bayernit të Mynihut dhe paga e kërkuar është 7 milionë euro në sezon që është pranë kufirit maksimal të pagave të klubit. Edhe për këtë arsye, manovrat mund të ndërthuren me ato për pozicionin e mesfushorit me tipare sulmuese, ku nuk është një mister që ka pasur kontakte për Bernardo Silvën. Një tjetër futbollist që është në skadencë të kontratës, në këtë rast me Manchester City. Përpjekjet e Juventusit në merkaton e verës mund të përqendrohen pikërisht këtu, te një organizator ofensiv ideal për Spallettin për ta vendosur përkrah Yildiz, Conceiçaos dhe në mbështetje të sulmuesit që do të vijë.

Sulmi; ëndrra Lewandowski, dyshimi Vlahovic

Është pikërisht reparti i sulmit ai që ka më shumë nevojë për modifikim pas paraqitjeve zhgënjyese të David dhe Opendas gjatë kërij sezoni. Të dy mund të largohen pas një sezoni në Torino, belgu ka më shumë mundësi se kanadezi. Ndërsa bisedimet me Vlahovic do të vazhdojnë ndoshta edhe pas ndeshjes së fundit  për të kuptuar nëse ekziston mundësia që të afrohet kërkesa me ofertën dhe për të arritur në një akord për rinovimin. Ndërkaq, Juventus vazhdon të ndjekë Robert Lewandowskin me bardhezinjtë që po kërkojnë të kalojnë konkurrencën e Milanit duke i propozuar polakut një rol lideri sepse paga aktuale e tij rreth 30 milionë euro është e papërballueshme për arkat e Zonjës së Vjetër. Trajneri shtyn drejtuesit e klubit për të vijuar me ndjekjen e polakut, i bindur se një blerje e tillë, edhe pse futbollisti në gusht do të festojë 38 vjetorin, do të mund të bëjë diferencën në tentativën për të fituar titullin kampion të Italisë.

Top Channel