“Sot duhet të mbahej konferenca ndërqeveritare me BE-në, lobistë të korruptuar e fshehin”, Berisha: Delegacioni i BE në Tiranë të informojë për procesin e kapitujve

22/04/2026 13:50

Sipas kryetarit të Partisë Demokratike, qeveria po mban të fshehta takimet në Bruksel.

Në mbledhjen e grupit parlamentar, Sali Berisha i bëri thirrje delegacionit të BE në Tiranë që të informojë për procesin e kapitujve.

Ndër të tjera ai tha se PD do të vazhdojë të insistojë për realizimin e kërkesave.

Për ta shpjeguar më qartë, u them qytetarëve ta dinë se nga fillimi i muajit mars gjer sot, për procesin e integrimit të Shqipërisë janë organizuar në Bruksel një seri takimesh dhe mbledhjesh. Të gjitha të mbajtura fshehurazi nga qeveria, ndonëse përfaqësuesi i saj ka qenë aty. Të gjitha të mbajtura fshehurazi ndaj opozitës, ndaj qytetarëve.

Në të gjitha këto takime nuk është arritur ujdia apo konsensusi që të kalojë raporti IBAR, një raport i ndërmjetëm, jo përfundimtar.

Jo, po këto nuk mund t’u thuhen shqiptarëve, u mbahen sekret, paçka se ka të bëjë direkt me ta. Shqiptarëve nuk u thuhet se në 6 mbledhje gjer tani, të atij institucioni që vlerëson pikërisht këtë raport, kërkesat ndaj Shqipërisë kanë ardhur në rritje.

Dhe nuk është votuar, nuk është rënë dakord të votohet raporti që u votua për Malin e Zi që në fillim të marsit, të dyja ishin në të njëjtën mbledhje. Shqiptarëve u fshihet nga qeveria dhe lobistët e saj të korruptuar, fakti se vendet anëtare kundërshtuese të votimit të raportit erdhën gjithnjë duke u shtuar. Shqiptarëve u fshihet fakti se- që përbën një zhvillim pozitiv për mua, presidenca ndryshoi raportin dhe kërkesat, pikërisht për t’u përshtatur me kërkesat që paraqitën vendet anëtare ndaj Shqipërisë.

Po, po, u ndryshua raporti. Shqiptarëve u fshihet fakti se sot me kalendar ishte përcaktuar konferenca ndërqeveritare, e cila nuk u mbajt. Dhe preokupimi i lobistëve nuk është se shqiptarët nuk dinë asgjë për këto, por përkundrazi se nuk duhet të dinë për këto sepse do të sulmojnë Edi Ramën.

Unë u bëj thirrje vendeve anëtare të BE, i bëj thirrje Komisionit Europian dhe Presidencës, të marrin çdo masë që procesi i integrimit të jetë transparent për shqiptarët. Shqiptarët meritojnë transparencë dhe vetëm transparencë.

Për hir të të vërtetës, që ta dinë shqiptarët, qeveritë përreth publikojnë fill mbrapa të gjitha zhvillimet që ndodhin në Bruksel për vendet e tyre, nuk i fshehin. Por dhe lobistët e korruptuar  kanë preokupimin e madh se mos keqpërdoren, nuk është problem se shkelmohen normat dhe të gjitha, po se mos keqpërdoren kundër kryekorruptorit Edi Rama.

Ne jemi këtu për transparencë. Ne si opozitë qëndrojmë të palëkundur absolutisht në objektivin tonë në integrimin e Shqipërisë në BE.

Por ne theksojmë edhe njëherë, dhe do insistojmë dhe zërin tonë do ta ngremë në të gjitha instancat që ky duhet të jetë një proces transparent i bazuar në meritë dhe jo në lobim korruptiv“, u shpreh Berisha.

Top Channel