Ditët e fundit në Itali, në media po flitet për hetimet e Prokurorisë së Milanos ndaj agjencisë së organizimit të eventeve Ma.De për favorizim dhe shfrytëzim prostitucioni nga ku 4 persona janë në arrest shtëpiak.

Nga hetimet e kryera rezulton se ishin të përfshirë edhe dhjetëra futbollistë, emrat e të cilëve ishin mbuluar në aktet e tyre, por ata u zbuluan në një faqe dekreti për kontroll mbi personat në hetim dhe bëhet fjalë për emra të tillë; nga Bastoni te Carlo Augusto, nga Leao te De Winter, nga Vlahovic te Scamacca e Calafiori. Janë këto mbiemra disa prej fjalëve kyçe që Prokuroria e Milanos ka cituar në këtë dekret dhe që do të shërbejnë për të analizuar telefonët dhe pajisjet e tjera elektronike të të hetuarve.

Këto fjalë kyçe që u publikuan fillimisht nga e përditshmja Il Giornale dhe më pas edhe nga agjencia italiane e lajmeve ANSA, nuk i referohen në mënyre eksplicite futbollistëve që nuk shfaqen me emër e mbiemër. Por  është e qartë lidhja me rreth 70 lojtarë të njohur të Interit, Milanit, Juventusit e madje edhe kombëtares italiane.

Disa prej futbollistëve mund të kenë marrë pjesë në festat e lokaleve milaneze të natës të organizuara nga Ma.De, por nuk e kanë shfrytëzuar ‘shërbimin ekstra’ me netë në hotel dhe marrëdhënie seksuale me pagesë dhe në disa raste të shoqëruar me të ashtuquajturën ‘droga e të qeshurës’ që është oksidi i azotit. Në dekretin e kontrollit flitet vetëm për pagesa prej mijëra eurosh oër një total që arrin në 500 mijë euro, në këmbim të organizimit të mbrëmjeve të tilla përmes transferimeve bankare në Revolut apo në llogaritë italiane të të hetuarve.

ANSA thekson se në listën e fjalëve kyçe të indikuara nga Prokuroria për të analizuar celularët, shfaqen më shumë se 60 mbiemra mes të cilëve Vlaohovic, Bisseck, Calafiori, Ricci e Scamacca. Por Il Giornale zbulon edhe emra të tjerë të njohur si Hakimi, Coutinho, Skriniar, Giroud e Menez.

Megjithatë këta futbollistë nuk janë nën hetim dhe nuk kanë kryer asnjë krim. Fakti që janë të cituar në dekretin e kontrollit dhe sekuestros të ekzekutuar dy ditë më parë së bashku me 4 arrestimet, nuk do të thotë se janë të përfshirë në mbrëmjet e organizuara dhe qe janë nën hetimin e Guardia Di Finanza.

Top Channel