Kërkon të mos mbahet në kafaz xhami gjatë seancës gjyqësore, Ilir Meta paraqet kërkesën: Dua të jem në sallë krah avokatit

21/04/2026 16:50

Ilir Meta ka kërkuar që të mos mbahet në kafaz xhami gjatë seancës gjyqësore për të.

Ai ka paraqitur kërkesën ku shpreh mendimin për të qëndruar krah avokatit të tij, sipas raportimit të gazetares së Top Channel, Anila Hoxha. Në GJKKO, do të mbahet seanca gjyqësore në themel për Ilir Metën, më 27 prill 2026.

“Që z. Ilir Metaj, gjatë seancave gjyqësore të mos mbahet izoluar në “Kafazin me xhama”. Ne si përfaqësues ligjor kërkojmë që, ish Presidenti të ketë mundësi të qëndroj në krahë të mbrojtësit të tij, gjatë gjithë seancave gjyqësore sespe vetëm kështu do mund të garantohet zhvillimi një gjykim drejtë, ku palët të jenë të barabarta sic e përcakton jo vetëm Kushtetuta e Shqipërisë por edhe Konventa Evropiane të Drejtave të Njeriut.

Kërkesa jonë si përfaqësues ligjor i ish Presidenti nuk është një kërkesë rutinë jo? Kërkesa jonë është në përputhje me cdo standart e një drejtësie dhe gjykate që funksionon në një vend demokratikë, që si parim ka shtetin e së drejtës.
I pandehuri paraburgosur, duhet të qëndroj patjetër në krahë të mbrojtësit të tij, jo vetëm për arsye diskriminuese dhe paragjykuese por edhe për të ruajtur kofidencialitetin, sepse gjatë procesit gjyqësor kërkohet edhe një bashkëpunim ndërmjet të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij, gjë që në kushte të tjera është e pamundur”, thuhet në kërkesë.

Kërkesë të ngjashme ka bërë më herët edhe krybashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, dhe ish-ministri Ilir Beqaj.

Top Channel