Lançimi i parë komercial i raketës së rëndë të kompanisë Blue Origin ka hasur probleme gjatë misionit të dielën, pasi sateliti që transportonte nuk arriti të hyjë në orbitën e saktë, pavarësisht suksesit të fazës së parë të fluturimit.

Sipas raportimeve të “Wall Street Journal”, raketa “New Glenn” u ngrit pa probleme nga objektet e kompanisë në Cape Canaveral, duke shënuar fluturimin e tretë të këtij mjeti. Një arritje e rëndësishme ishte rikthimi me sukses i përforcuesit të parë në Tokë, një manovër që deri më tani është realizuar vetëm nga Blue Origin dhe SpaceX e Elon Musk.

Megjithatë, më vonë gjatë misionit u raportua një problem me vendosjen e satelitit të kompanisë AST SpaceMobile në orbitën e synuar. Në një deklaratë në platformën X, Blue Origin bëri të ditur se ngarkesa është vendosur në një orbitë të çrregullt dhe se ekipet teknike po hetojnë shkaqet e incidentit.

Nga ana e saj, AST SpaceMobile konfirmoi se lartësia orbitale e satelitit ishte më e ulët se kërkesa operacionale, duke e bërë atë të papërdorshëm për funksionim normal dhe duke planifikuar nxjerrjen e tij nga orbita. Kompania theksoi se humbja mbulohet nga siguracioni dhe se planifikon të vazhdojë me lëshime të rregullta gjatë vitit.

Ky incident ndodh në një kohë kur Blue Origin po synon të rrisë ritmin e misioneve të “New Glenn”, për të forcuar pozicionin e saj në tregun e lëshimeve hapësinore dhe për të rivalizuar drejtpërdrejt SpaceX. Ngjarja nënvizon edhe një herë sfidat teknike të fluturimeve hapësinore, ku edhe misionet pjesërisht të suksesshme mbeten komplekse dhe me rrezik të lartë.

Top Channel