Kryeministri Rama pritet me ceremoni zyrtare në Romë, momenti kur takohet me Melonin
Ministri për Energjinë dhe Infrastrukturën, Enea Karakaçi, zhvilloi një interpelancë të kërkuar nga deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri.
Gjatë fjalës së tij, ministri theksoi se porti i ri nuk është një projekt i ri në ide, por një investim strategjik që pasqyron ambicien e qeverisë shqiptare për zhvillimin ekonomik të vendit.
Karakaçi shtoi se porti do të funksionojë jo vetëm si pikë hyrje-dalje mallrash, por edhe si “qendër rajonale” logjistike me magazina dhe qendra shpërndarjeje, ku sipas tij do të operojnë kompani vendase dhe të huaja.
“Porti i ri detar i Integruar në Porto Romano nuk është një projekt i ri, por një projekt i cili pasqyron ambicien e qeverisë shqiptare për ta sjellë vendin në një nivel të zhvillimit ekonomik e strategjik.
Për dekada me radhë, porti i Durrësit ka mbajtur mbi supe përgjegjësi. Nuk ka sot asnjë port që të jetë në qendër të qytetit që të kryejë funksione industriale dhe sa i përket edhe të gjitha politikave të ndotjes mjedisore dhe të zgjerimit e zhvillimit të portit. Porti i Durrësit e ka të pamundur të zgjerohet. Projekti i Porto Romanos është i mirëmenduar, nga ekspertë ndërkombëtarë, dhe i aftë të përballojë kërkesat e mëdha të ekonomisë të dekadave të ardhshme”, tha Karakaçi.
Fjala e plotë e ministrit në Kuvend:
Para se t’i përgjigjem deputetit Kapri, dua të përfitoj nga rasti për të ritheksuar dhe njëherë rëndësinë strategjike të projektit të portit tregtar të Porto Romanos. Patjetër, në fjalën time, ndërmjet të tjerave do të japë edhe përgjigje për çështjet që ngriti zoti Kapri.
Së pari, një herë më vjen shumë keq që dëgjoj që t’i referohen këtij projekti si një pas mendim që vjen si rezultat i nevojës për të ndërtuar një port të ri, meqë po u prish porti aktual i Durrësit dhe për t’i bërë vend asaj, që pavarësisht sesi përpiqen ta keqinterpretojnë, është realisht një nga projektet më transformative të vendit, Marina e Durrësit.
Porti i ri tregtar i integruar në Porto Romano nuk është thjesht një port i ri, por një projekt që pasqyron ambicien e Qeverisë Shqiptare për ta sjellë vendin në një nivel të zhvillimit ekonomik, logjistik dhe gjeostrategjik. Ky projekt ka lindur nga një vizion i qartë për dekada me radhë, që për dekada me radhë Porti i Durrësit ka qenë një port që ka mbajtur mbi supe funksione të shumta tregtare, industriale dhe urbane, duke kufizuar zhvillimin e qytetit dhe potencialin e vetë portit. Nuk ka sot asnjë port që të jetë në mes të qytetit, që të mund të kryejë funksione industriale dhe përsa i përket edhe të gjitha politikave të ndotjes mjedisore dhe të gjitha politikave të zhvillimit të portit dhe zgjerimit të portit.
Porti aktual i portit Durrës, për nga vetë natyra e tij është e pamundur që të zgjerohet përtej kufijve ekzistues që ka ai port në qytetin e tij dhe pikërisht për këtë qëllim ky port i ri tregtar i Porto Romanos është një projekt i mirëmenduar, bazuar mbi një masterplan të mirëfilltë, të hartuar me ekspertizë ndërkombëtare, që parashikon zhvillimin e një porti të klasit botëror në ujëra të thella, me standarde të larta teknologjike dhe mjedisore, një port i gjelbër, efikas dhe i aftë të përballojë kërkesat e ekonomisë së dekadave të ardhshme.
Ky port është projektuar nga një ndër kompanitë më të mëdha në botë të porteve, Royal Haskoning, kompani holandeze dhe po ashtu pararendëse e zhvillimit të këtij masterplani ka qenë dhe një projekt tjetër i Ernst & Young, pra të gjitha kompani ndërkombëtare botërore që janë kompanitë më të mëdha në botë për këto qëllime.
Ky port është projektuar për të qenë më tepër sesa një pikë hyrje dhe dalje mallrash. Ai synon që të bëhet një qendër logjistike rajonale, një nyje që lidh Shqipërinë me Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe më gjerë. Dhe çfarë është më e rëndësishmja, përmes lidhjeve me korridoret kryesore rrugore dhe hekurudhore, përfshirë Korridorin VIII, që ju me të drejtë jeni shumë të shqetësuar për Korridorin VIII, por duhet të theksojmë faktin që Korridori VIII, është pjesë e korridoreve evropiane, për shkak të punës të qeverisë dhe ministrisë, që ka bërë negociata dhe kërkesa në Bashkimin Europian, që ky korridor të futej në ato korridore që ju tani me të drejtë kërkoni që t’i mbroni.
Por, pse është e pavërtetë ajo çfarë thoni, sepse të dhënat e flasin qartë. Kapaciteti i portit të Durrësit sot është për të menaxhuar maksimumi 200 mijë kontenierë dhe ne jemi në kufirin maksimal të tij. Që këtë vit ne parashikojmë që ta tejkalojmë këtë kapacitet kontenierësh. Ndërkohë, porti i ri tregtar i Porto Romanos ka kapacitetin e parë 600 mijë kontenier dhe në fazën e avancuar të tij deri në 1 milion kontenier, pra një informacion i pasaktë, të cilin me kënaqësi edhe po jua referoj.
Por, çfarë është dhe çfarë e bën këtë projekt edhe projekt strategjik është dimensioni i integruar i tij. Porto Romano nuk është vetëm një port, por është një ekosistem i tërë ekonomik, një park logjistik modern me magazina, qendra shpërndarje dhe shërbime me vlerë të shtuar që do të krijojë kushte për zhvillimin e industrisë dhe tregtisë. Kompanitë vendase dhe të huaja do të kenë mundësi të operojnë në një mjedis modern, me akses të drejtpërdrejtë në transport detar, rrugor dhe hekurudhor. Në këtë mënyrë Shqipëria nuk do të jetë më e thjeshtë një vend tranzit, por një pikë kyçe në zinxhirët e furnizimit rajonal dhe evropian.
Një tjetër element thelbësor, që me të drejtë ju e ngrini, që është elementi dhe i dimensionit të sigurisë është përsëri kërkesë e Qeverisë Shqiptare kërkuar NATO-s që në këtë port të ri të integruar të përfshihej edhe bazë ushtarake e NATO-s. Me të drejtë ju kërkoni që të mbrohet kjo, por është një iniciativë dhe kjo është realizuar falë iniciativës dhe kërkesës së Qeverisë Shqiptare dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Dhe pikërisht ndërtimi i një baze detare të integruar për forcat tona detare dhe për aleancën e NATO-s e kthen Porto Romanon në një aset të rëndësishëm jo vetëm ekonomik, por edhe gjeopolitik.
Ky është një investim që rrit sigurinë kombëtare dhe forcon pozicionin e Shqipërisë si një partner i besueshëm në aleancën euro atlantike. Nga ana teknike projekti është ambicioz dhe konkret, pasi përfshin ndërtimin e dallgëthyesve të rinj, krijimin e terminaleve moderne për anijet post-Panamax, i cili është i pamundur të zhvillohet sot në portin e Durrësit, sepse për t’ju dhënë një informacion, sepse unë mendoja se interpelanca ishte thirrur për pyetje, jo për të sqaruar kërkesa apo e-mail-e, që ka të drejtë të sjellë çdo individ dhe çdo ekspert i fushës, por thjesht për t’jua sqaruar, se ndoshta ju ndihmon.
Porti i Durrësit ka thellësi që mund të shkojë deri në 8 metra, ndërkohë porti i ri i integruar, në fazën e parë të tij shkon në 13 metra dhe pastaj mund të shkojë deri në 16 metra, pikërisht për të krijuar mundësinë e përpunimit dhe operimit edhe të anijeve më të gjera dhe më të thella. Porto Romano është një projekt, sigurisht që kërkon kohë, përkushtim dhe standarde të larta në zbatim. Sfida të tilla, si procesi i tenderimit apo kompleksiteti teknik janë pjesë e natyrshme e një vepre të kësaj përmase. Këto sfida nuk e zbehin vizionin, përkundrazi e bëjnë edhe më të domosdoshëm që të ecim përpara me seriozitet dhe transparencë.
Porti i Porto Romanos është një investim për gjeneratat e ardhshme, është një projekt që ndërtohet jo vetëm si rrjedhojë e punimeve civile, por me vizion, me guxim dhe besimin se Shqipëria mund të jetë një aktor i rëndësishëm në Mesdhe dhe në Evropë.
Përsa i përket procedurës, thjesht për t’ju informuar, ministri as nuk e bën tenderin, as nuk e anulon, as nuk sqaron, as nuk jep informacione përsa i përket kësaj procedure, por që patjetër unë me kënaqësi mund t’jua referoj tani, por nuk e bën ministri tenderin përkatës që duhet edhe të sqarojë pse anulohet tenderi. Tenderi apo procedura e prokurimit ka një ligj të posaçëm, që është Ligji i Prokurimit Publik. Ka patur dy procedura konkurruese. Në procedurën konkurruese të fundit që ju i referoheni ka patur 5 subjekte që kanë aplikuar, që në fakt është e vërtetë, janë të gjitha kompani ndërkombëtare më të mëdhatë në botë të porteve, që fakt tregojnë shumë qartë që projekti, dizajni dhe vizioni i Qeverisë Shqiptare është shumë i qartë dhe prandaj kanë marrë dhe kanë aplikuar të gjitha në këtë procedurë.
Ka patur një subjekt, i cili është kaluar në fazën përmbyllëse, që është shpallur si ofertues i suksesshëm, por me të drejtën e tij, ky ofertues është tërhequr, ka bërë dhe një njoftim përsa i përket elementeve të kostove të projektit, duke njoftuar që fondi përkatës i procedurës nuk e përmban tashmë koston që ka projekti, pasi patjetër krizat, inflacioni dhe elementet që po ndodhin sot në Evropë dhe në botë e impaktojnë koston e tij dhe si e tillë është tërhequr. Është një procedurë krejtësisht normale në Ligjin e Prokurimit Publik dhe në procedurat e Prokurimit Publik është krejtësisht normale që një procedurë të hapet dhe subjekti mund të mos hyjë, sepse nuk i del kostoja përkatëse e fondit limit.
Së fundmi, që ka edhe një element që është e nevojshme ta theksoj. Marina e Durrësit nuk e impakton në asnjë moment operacionalitetin e portit të Durrësit. Pse?
E para, faza e punimeve, pra faza aktuale nuk cënon, siç e thashë, asnjë aktivitet të përpunimit të mallrave. Tashmë e gjithë faza e parë i është dhënë subjektit Marina Durrës dhe Porti i Durrësit vazhdon aktivitetin krejtësisht normalisht, ndërsa në kontratën bazë, që është edhe miratuar këtu, dhe ju ftoj që edhe mund ta shikoni, është që faza e dytë fillon vetëm pasi porti i Durrësit transferohet në portin pasardhës.
Si e tillë, në asnjë moment Shqipëria nuk rri pa port në Durrës dhe faza e dytë vijon vetëm pasi të zhvillohet porti në Porto Romano.
###
Mendoj se është nevoja t’i theksoj dy fjalë, se diskutohet sikur porti i integruar i Porto Romanos është mbajtur diku i fshehur dhe nuk është diskutuar apo nuk është konsultuar.
Më lejoni të them 2-3 elementë.
E para një herë, Qeveria e Shqipërisë me anë të Vendimit Nr.1, datë 14.10.2020 të Këshillit Kombëtar të Territorit ka miratuar Planin Kombëtar Sektorial të Transportit Detar dhe Infrastrukturës Portuale, i cili ka për qëllim të shndërrojë portin ekzistues të Durrësit në një qendër urbane për zhvillimin e pasurive të paluajtshme, turizmit dhe transportit detar të udhëtarëve. Zhvillimi i planifikuar i Portit të Durrësit kërkon që disa nga aktivitetet portuale që zhvillohen aktualisht në Portin e Durrësit të zhvendosen në një port të ri, i cili njihet si Porto Romano, që ndodhet 10 km në veri të Portit të Durrësit.
Në përputhje me vendimin e mësipërm të Këshillit Kombëtar të Territorit, Autoriteti Portual Durrës ka siguruar një konsulencë, siç e thashë, ndërkombëtare për hartimin e masterplanit të zonave portuale Durrës dhe Porto Romano. Masterplani strategjik Durrës – Porto Romano është hartuar nga Ernst & Young dhe i cili, është kontraktuar nga Autoriteti Portual Durrës dhe është përfshirë në planin e detajuar vendor të Bashkisë Durrës. Pra të gjitha dokumente publike, të cilat janë edhe konsultuar me publikun. Ky masterplan, për më tepër është miratuar në vitin 2021 dhe në vitin 2022 nga institucionet shtetërore.
Në vijim të këtij masterplani, autoriteti ka bërë një procedurë prokurimi për të marrë një nga studiot më të mëdha ndërkombëtare për të hartuar këtë projekt. Dhe siç e thashë, ky projekt është i lidhur me kompaninë Royal Haskoning, që është kompania holandeze më e madhja në Europë përsa i përket projekteve të porteve.
Por ka një fakt interesant. Kjo kontratë është amenduar më vonë. Pse është amenduar më vonë? Për të patur nevojën e projektimit të hapësirës së dedikuar për forcat detare ushtarake të NATO-s. Ju me të drejtë shqetësoheni për NATO-n, por ka qenë qëllimi, vizioni dhe objektivi i Qeverisë Shqiptare që aty të kishte një bazë detare të NATO-s dhe prandaj dhe ka bërë amendim të projektit.
Çfarë ka ndodhur tjetër? Të gjitha këto ide që unë flas, janë artikuluar në nivel koordinimi politik gjatë Ministerialeve të Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel. Më tej është lidhur dhe procedura konkurruese.
E-maili që ju referoheni me të drejtë dhe më bëhet qejfi, është kënaqësi që konsultoni me e-mail të tilla, në fakt nuk është dërguar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë. Dhoma Amerikane e Tregtisë ka kanale komunikimi me anë të shkresave dhe komunikime zyrtare, është dërguar nga një individ, i cili ka disa role private në kompani të ndryshme, por ka edhe një rol në Dhomën Amerikane të Tregtisë. Nuk është nevoja të emocionohemi që ka dërguar një email.
Ajo çfarë unë po ju them, shifrat, hapësirat e terminalit dhe zgjerimi i terminalit dhe i kontenierëve, janë të gjitha në dokumentet publike të miratuara nga institucionet shtetërore që u referova më sipër.
Top Channel