Përplasja Berisha-Braçe për zjarrin në pallatin pranë QSUT, PS kundër hetimit politik, opozita: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë

16/04/2026 15:44

Zjarri që përfshiu pallatin 12-katësh përballë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, për Sali Berishën ishte kronika e një ngjarjeje të paralajmëruar.

Janë në unison së bashku. Ai pallat është ndërtuar jashtë të gjitha kushteve urbanistike. Zjarrfikësja nuk futej dot. Fat i madh që shpëtuan jetët e njerëzve, të cilat edhe mund të humbisnin, por ai ishte një zjarr i paralajmëruar. Tani i them Ramës, avokatit të Armando Lilos: në qoftë se Armando Lilo nuk kishte faj, atëherë pse ia mbathi? Pse iku nga drejtësia, meqë ti e nxjerr të pafajshëm? Është Rama i fajshëm, është Erion Veliaj i fajshëm. Janë këta që kanë shkatërruar Tiranën me betonizimin”, tha Berisha.

Fjalët e Sali Berishës në oborrin e Parlamentit kishin mbërritur edhe brenda sallës. Erion Braçe u kërkoi opozitarëve që, kur akuzojnë kundërshtarin politik, të mos i fusin të gjithë në të njëjtin thes.

Do t’ju kërkoja të gjithëve: kur flisni për mazhorancën, ajo është një e tërë, por edhe individuale. Unë as e njoh ndërtuesin, as e di, as e kam kërkuar; dhe, për të thënë të drejtën, i kam qëndruar përballë kur ka zënë hapësirat”, deklaroi Braçe.

Për opozitën është i nevojshëm një hetim parlamentar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë, por për deputetin socialist, Kuvendi nuk është as prokuror dhe as gjykatës.

Edhe unë e pashë çfarë ka ndodhur atje dhe mund të thosha që duhet arrestuar filani apo filani, por dua të qëndroj brenda statusit tim si deputet. Nuk arreston as deputeti, as Kuvendi; arrestojnë institucionet që kanë detyrën të hetojnë kur vërehen shkelje.”, shtoi socialisti.

Debati për zjarrin u shua shpejt. Në mungesë të një përballjeje me Edi Ramën në seancën plenare, Berisha po pret përballjen në gjyqin e tij për dosjen “Partizani”.

Do të jemi ballë për ballë aty dhe i thoni të bëhet burrë, të mos kërkojë seancë pa media, por të kërkojë praninë e mediave kombëtare dhe ndërkombëtare, që të shohin shqiptarët se cili është Edi Rama në atë aferë, çfarë aktesh të mëdha korruptive ka kryer ai, duke ndryshuar destinacion pa asnjë kërkesë nga pronarët, por vetëm për llogari të xhepit të tij dhe enturazhit të tij. Çdo gjykatë serioze do të vendoste marrjen në ndjekje penale të Edi Ramës për ato akte.”, replikoi kreu i PD.

Berisha akuzoi Ramën se po minon procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian përmes lobimit korruptiv.

Top Channel