Pasuria e konfiskuar nga shteti si përfitim nga aktivitetet e paligjshme kthehet në qendër arti, krijimet e veçanta të 4 efektivëve

16/04/2026 13:32

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) zhvilloi sot inaugurimin e ekspozitës “Creatio Ex Ordine” me punimet e katër zyrtarëve të Policisë së Shtetit, në hapësirën më të re kushtuar artit dhe kulturës në kryeqytet, “PUBLIK Galeri”, një ambient i transformuar nga një pasuri e përfituar nga aktivitetet e paligjshme në një qendër arti dhe kulture në shërbim të qytetarëve.

Ky projekt përfaqëson një qasje të re në administrimin e pasurive të konfiskuara, duke i kthyer ato nga asete pasive në burime aktive vlere për komunitetin, në funksion të zhvillimit social dhe kulturor.

Në ceremoni morën pjesë Zëvendëskryeministrja znj. Albana Koçiu, Ministri i Brendshëm z. Besfort Lamallari, Kryeadministratorja e AAPSK, znj. Risena Xhaja, drejtues të institucioneve dhe agjencive ligjzbatuese, përfaqësues të trupit diplomatik, etj.

Kryeadministratorja e AAPSK, znj. Risena Xhaja, theksoi se ky projekt është pjesë e një vizioni më të gjerë transformimi në nivel kombëtar:

“PUBLIK Galeri është dëshmia konkrete se pasuritë e konfiskuara nuk janë më barrë për shtetin, por një mundësi për të krijuar vlerë publike. Ne kemi nisur një proces të gjerë për pastrimin dhe rikthimin në funksion të komunitetit të hapësirave që për vite me radhë kanë qenë të zëna nga asete pa vlerë, duke i kthyer ato në ambiente që i shërbejnë qytetarëve.”

Zëvendëskryeministrja, Albana Koçiu, vlerësoi rëndësinë e këtij modeli si një instrument i forcimit të besimit publik:

“Ky transformim është një shembull i qartë i mënyrës se si drejtësia dhe qeverisja e mirë mund të prodhojnë rezultate të prekshme për qytetarët. Ripërdorimi social i pasurive të konfiskuara është një hap i rëndësishëm drejt një shteti më transparent dhe më pranë komunitetit.”

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, theksoi dimensionin e sigurisë dhe të luftës kundër krimit: Çdo pasuri e konfiskuar është rezultat i një përpjekjeje të gjatë të institucioneve të rendit dhe drejtësisë. Transformimi i tyre në hapësira publike si PUBLIK Galeri tregon se lufta kundër krimit nuk përfundon me sekuestrimin, por vazhdon duke kthyer këto pasuri në dobi të qytetarëve.

Në kuadër të këtij vizioni, AAPSK ka nisur gjithashtu një operacion masiv për lirimin dhe pastrimin e hapësirave publike të zëna nga mjete dhe materiale të konfiskuara, të cilat për vite kanë gjeneruar kosto pa prodhuar vlerë. Ky proces ka nisur në Shkodër dhe po shtrihet në Tiranë dhe më tej në të gjithë vendin, me qëllim kthimin e këtyre hapësirave në përdorim komunitar.

Ekspozita e hapur në PUBLIK Galeri sjell një dimension unik, duke prezantuar vepra të realizuara nga katër punonjës të Policisë së Shtetit, Neritan Nallbati, Idajet Faskaj, Edmond Rizaj dhe Ardian Fezollari, të cilët përmes artit shfaqin një anë tjetër të angazhimit të tyre në shoqëri. Kurator i ekspozitës është artisti Shpend Bengu.

 

FOTO GALERI
4/10

Top Channel