“Flisni për subvencionet dhe jo për integrimin”, Bido dhe Berisha debat në Kuvend për bujqësinë, kryedemokrati: Kosova ndan 4 herë më shumë se ne

16/04/2026 10:54

Kryedemokrati Sali Berisha dhe deputeti socialist Ardit Bido debatuan gjatë seancës së sotme plenare lidhur me subvencionimin e naftës për fermerët.

Bido duke iu referuar deklaratës së parë të Bërishës i cili shprehu se çdo shtet i BE subvencionon naftën e fermerëve shprehu se kjo ndodh sepse financimet e BE janë shumë herë më të larta si dhe shtoi se në 8 vite të qeverisjes së PD nuk krahasohet me një vit të qeverisjes socialiste. Ndërkohë ai shtoi se kur organizohen takime me BE, opozita kërkon bllokimin e negociatave.

Kryedemokrati u përgjigj duke thënë se nuk kërkon që Shqipëria të krahasohet me Gjermaninë apo Francën, por me Kosovën, që sipas tij ka ndarë 4 herë më shumë për bujqësinë se Shqipëria ndërkohë që buxheti është sa gjysma e buxhetit shqiptar.

Pjesë nga debati:

Bido: Ne në këtë sallë duhet të diskutojmë mbi zërin e përbashkët që duhet të kemi për integrimin. Në 8 vite të qeverisjes së PD shuma totale e skemës kombëtare nuk krahasohet me shumë të një viti sivjet. Ajo që është e vërtetë është që në vendet e BE financimet janë shumë herë më të larta.

Berisha: Mashtrimi është bërë ligji i tyre. Ligji themelor i moralit të tyre. Në Shqipërinë rurale, qeveria e mëparshme ka investuar 3 miliardë euro dhe ka ndryshuar në kulturën më tradicionale të zonës fushore kodrinore të Shqipërisë, nga 4 milionë rrënjë që vinin nga koha e Skënderbeut, në 11 milionë rrënjë. S’i zhbëni dot kurrë.

Së dyti, nuk matemi me vendet e BE dhe kjo është e drejtë, por vetëm për Kosovën duhet t’u rikujtoj këtu, Kosova ka ndarë këtë vit 200 milionë euro për bujqësinë. 200 milionë euro për bujqësinë! Kosova ka ndarë katër herë më shumë se Shqipëria. Kosova jep për një hektar grurë, 400 euro. Kosova jep për një hektar grurë për plehrat, 100-150 euro. Jep për farën, jep për naftën.

Pra, jo të krahasohemi me Gjermaninë, jo, as me Francën, as më Italinë, por me Kosovën po. Kosova ka gjysmën e buxhetit tonë, 4 miliardë euro. Po ç’jeni mor kështu kaq të mjerë që ngriheni dhe bëni papagallin e një hajduti që po shkatërron vendin? Si është kjo puna juaj? A keni ndjenja ju? A jeni shqiptarë?

Top Channel