Berisha takon përfaqësuesit e Këshillit Koordinues të Diasporës: Shpopullim, 1 milion shqiptarë emigruan në më pak se 10 vite

16/04/2026 18:55

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me përfaqësues të Këshillit Koordinues të Diasporës.

Në takimin në zyrën e Berishës, mes diskutimeve ishte edhe kërkesa e KKD për të pasur kandidatët e saj në një zonë elektorale.

Kreu i demokratëve priti në zyrë një përfaqësi të Këshillit Koordinues të Diasporës, të përbërë nga Lazim Destani (kryetar i KKD-së), Anila Smørgrav (nënkryetare), Emina Cunmulaj, Drita Gjongecaj, Ira Londo, Mirela Mezani, Brikena Muharremi dhe Rosario Peta.

Përfaqësuesit e KKD thanë se një kërkesë e tyre për opozitën dhe qeverinë është që në zgjedhjet e radhës diaspora të jetë e përfaqësuar me kandidatë të saj në një zonë elektorale.

Kryetari i opozitës deklaroi se historia e diasporës është historia e shqiptarëve të suksesshëm dhe posaçërisht e vajzave dhe grave.

“Një tërësi kombëtare është e një rëndësie të jashtëzakonshme. Shqipëria është në rrezik të madh ekzistencial. Në periudhën 2015–2024, sipas Eurostat, 1.099 milion shqiptarë kanë emigruar dhe kjo vetëm në zonën Shengen. Nëse vazhdohet kështu, në 5 dekada Shqipëria rrezikon të mos ekzistojë më”, tha ai.

 

 

Top Channel