Kategoria Superiore drejt fundit, gara për titullin e mbijetesën ndizet akoma më shumë
Vedat Muriqi është njeriu që me golin e tij, me shumë mundësi i shoi ëndrrat e lavdisë Realit të Madridit. Sulmuesi i kombëtares së Kosovës, në minutat shtesë shënoi golin e fitores 2-1 të Mallorcas duke bërë që Reali i Madridit të jetë 7 pikë prapa Barcelonës kryesuese.
E megjithate Muriqi, me 19 gola në La Liga, 4 më pak se Mbappe që është shënuesi më i mirë duke lënë pas emra si Yamal e Lewandowski, ka një të kaluar në futbollin italian që ishte e dështuar
LAZIO— Muriqi ishte futbollisti për të cilin u pagua më shumë nga Lazio në verën e 2020, kur bardhekaltrit duhej të ristrukturoheshin për të shkuar në Ligën e Kampioneve. E megjithatë në vitin e tij të parë në Romë ai shënoi vetëm 2 gola, të dy ndaj Atalantës, një në Kupën e Italisë e një në kampionat. Pritej më shumë, shumë më shumë. Disa probleme fizike e shëndetësore, moduli i përdorur nga Inzaghi te Lazio (3-5-2) dhe nevoja për t’u përshtatur me një futboll të një niveli superior nga ai që ishte mësuar, e kufizuan. Ai që e solli te Lazio Muriqin ishte Tare që e bleu nga Fenerbahce. Besonte kaq shumë sa në 2021 me ardhjen në pankinë të Sarrit, vendosi të shesë Caicedon. E megjithatë, dardani nuk bëri mirë as me Sarrin dhe u kontestua nga disa tifozë të Lazios. Edhe raporti me tifozët ishte një problem për Muriqi teksa nuk pati asnjëherë afeksion mes palëve. ‘Në kampionatin italian ka me siguri më shumë kualitete se në atë turk-shpjegoi Muriqi-në fillim ishte dëmtimi, pastaj më kapi Covid dhe kam vuajtur sepse Lazio ishte një nivel i shkëlqyer përgatitjeje. Nuk ishte e lehtë të rikuperoje kohën e humbur në skuadër’
PROBLEMET— Në skemën 3-5-2 të Inzaghit nuk kishte hapësirë për të. Immobile duhet të ishte ai që duhej të mbyllte sulmet, Vedati nuk kishte vend. Por edhe në skemën 4-3-3 të Sarrit gjërat nuk u përmirësuan. Shumë pak krosime, shumë pak mundësi për të luftuar në zonë. Lazio në vitin e tij të parë kërkonte vertikalizim, në vitin e dytë luante shumë me topin në tokë. Karakteristikar e tij nuk shfaqeshin. ‘Shpesh nuk kam pasur fat, por është gjithashtu e vërtete se kur më dhanë mundësitë, nuk jam paraqitur mirë-shpjegon Muriqi që pësoi një rënie drastike të humorit dhe vetëvlerësimit siç e shpjegoi ai vetë në një koment në rrjetet sociale teksa iu përgjigj një tifozi që e kishte mbështetur. ‘Faleminderit që je përkrah meje, vëlla, por Pirati yt ka vdekur tashmë(mentalisht)’
NDRYSHIMI DHE SHPËRTHIMI-Me transferimin te Mallorca, Muriqi rilindi duke u bërë shumë shpejt beniamini i tifozëve. ‘Kisha shumë propozime, por e kuptova menjëherë që te Mallorca të gjithë punonin në grup-tregon Muriqi-Drejtori Sportiv dhe trajneri më telefonuan direkt për të më bërë të kuptoj se më donin në skuadër. Në Itali kalova momente të vështira. Në Turqi njerëzit më donin dhe shënoja shumë gola, por doja të provoja atë eksperiencë. Kur isha keq luaja edhe 45 minuta, kur isha mirë nuk më jepnin mundësinë. Trajnerit nuk i pëlqeja e as tifozëve. Kur kthehesha në shtëpi nuk isha i lumtur, kthehesha i zemëruar dhe i trishtuar. Në ato dy vjet, kam folur shumë me bashkëshorten time që është më e fortë se unë. Më tha se duhet të isha gati që të shfrytëzoja rastin. Në 2 muaj rikuperova formën time fizike dhe atë mentale. Po prisja vetëm momentin, por që nuk po vinte kurrë. Ka pasur ditë kur isha mire dhe mendoja se do të kthehesha në formën optimale si te Fenerbahçe. Por më pas ndihesha shumë keq. Mendoja se futbolli mbaroi për mua. Por zgjedhja që të shkoja te Mallorca ndryshoi jetën time. Nuk e prisja të isha një idhull këtu, por që në fillim ndjeva një afeksion rreth meje’.
Top Channel