Operatori i Kinostudios zbulon në “Exclusive” detajet e rralla nga 1997: Kërkova antiplumb dhe armë, producenti më tha “nuk ka për policët, jo më për ty”

23/03/2026 08:03

Bashkim Asllani rrëfen në “Exclusive” në Top Channel disa prej momenteve të rëndwsishme të karrierës së tij pas vitit 1990.

I ra në dorë një aparat fotografik, që u bë miku që e shoqëronte në çdo udhëtim. Me lenten e aparatit kapi momente që nuk kthehen më dhe dokumentoi ngjarje që kanë lënë gjurmë, sikurse trazirat e 1997.

Bashkim Asllani – Në ‘90, mbesa nga Italia më dërgon një aparat fotografik me objektiv 50. Aty nisa të bëj fotografi. Në 1997, Kinostudio kishte filluar të degradonte, kishin ngelur shumë pak që punonin, mes të cilëve dhe unë, por nuk kishim mundësinë të merreshim me film, madje as televizioni nuk ka xhiruar dot në 1997. Më vjen Kreshnik Harshova, ka qenë edhe drejtor i Kinostudios, u përpoqëm të realizonim dokumentarin “Kronikë në ‘97”, nuk kishte fonde dhe mbeti pas dore. Në një moment më thotë mua, hajde xhirojmë pasi u hapën depot. Ishte mars. Të tjerët nuk donin, se donin lekë, plus kishin frikë. Unë i thashë nëse vij, nuk vij për lekë. Kur shkova në shtëpi, dolën të gjithë kundër, por unë e vendosa. Por, kërkova një antiplumb dhe një armë për vetëmbrojtje, producenti Pëllumb Dervishi më tha ‘nuk ka armë për policët, jo më për ty’. Kemi xhiruar rreth 8500 metër negative, janë të gjitha ngjarjet ku patëm mundësi të shkonim.

Pyetje – Si i mbani mend ato ngjarje, çfarë ju ka shënjuar më shumë?

Bashkim Asllani – Ajo që na ka trishtuar më shumë ishte tragjedia e Qafë Shtamë, mund ta quaj ‘Gërdeci i parë”. Aty ranë viktima rreth 22 fëmijë.

Shpërthimi i fuqishëm që ndodhi në malin e Qafë Shtamës në 29 prill 1997, ku banorët kishin shkuar për të mbledhur gëzhoja në depot e armatimeve, u mori jetën 23 fëmijëve. Asllani shkoi në vendngjarje pak pas tragjedisë, për të raportuan kronikën më të rëndë të jetës.

Bashkim Asllani – Aty kishte tunele gjigante me armatime, predha të kalibrit të madh. Ne shkuam atje pasi kishte ndodhur shpërthimi, prindërit prisnin kufomat e fëmijëve, por nuk gjetën asgjë. Kur po filmonim aty, dikush na paralajmëroi që mund të kishte shpërthime. Kishte kudo predha, rrezikuam jetën. Ne bëmë xhirim, bëra dhe foto dhe më pas ndoqëm ceremoninë mortore. Nëna me shami të zeza qanin fëmijët, nuk kishte gjë më të dhimbshme.

Si pasojë e trazirave në vitin e mbrapshtë ’97, qindra shqiptarë panë si mundësi shpëtimi largimin drejt Italisë. Fotografitë e Asllanit reflektojnë dhimbjen e një kombi që u përballën me kaos dhe pasiguri atëherë kur shpresonin për një jetë më të mirë. Zhgënjimi duket qartë në portretet e shqiptarëve që Asllani i fotografoi në rrugët e qyteteve italiane.

Bashkim Asllani – Kemi xhiruar të gjitha kampet e refugjatëve në Itali, në Bari, Ancona, Bolonja. Morëm në intervistë ata që kishin shpëtuar nga përmbytja e anijes Sibilia. Në intervistë morëm një djalë nga Fieri, që sapo ishte martuar. Na tha se atë ditë kishte shkuar në Vlorë për për të përcjellë motrën dhe kunatin dhe ia kishin mbushur mendjen të ikte. Ai tregoi se si u hodh në det bashkë me nipin por nipi i iku nga duart, nuk e shpëtoi dot.

Ndërsa këto foto janë kronikë e luftës në Kosovë dhe e eksodit të shqiptarëve të Kosovës që u strehuan në Shqipëri. U detyruan të lënë gjithçka pas. Traumat që përjetuan nuk do të shëroheshin kurrë, kujton me lot në sy fotografi.

FOTO GALERI
5/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB