Manchester City merr trofeun e parë të sezonit, Carabao Cup, përballë një Arsenali…”me rezerva”
Në botën e futbollit thuhet shpesh se ekzistojnë dy lloje trajnerësh: ata që janë shkarkuar dhe ata që do të shkarkohen.
Por rasti i Jomo Sono, skuadrës nga Afrika e Jugut është krejt ndryshe. 70-vjeçari nga Afrika e Jugut konsiderohet trajneri me shërbimin më të gjatë në botë, pasi ka qëndruar për plot 32 vite në krye të Jomo Cosmos, skuadrës loale dhe nuk ka asnjë shenjë se do të largohet së shpejti. Arsyeja është e thjeshtë: ai është njëkohësisht trajner, president dhe pronar i klubit.
Nga varfëria në legjendë të futbollit
I lindur si Ephraim Matsiele Sono në Orlando East, ai u përball me një fëmijëri shumë të vështirë. Pas vdekjes së babait dhe braktisjes nga nëna, u rrit nga gjyshërit dhe punonte që i vogël për të mbijetuar, duke shitur mollë dhe kikirikë. Karriera e tij në futboll nisi rastësisht te Orlando Pirates, ku shpejt tregoi talentin e tij si driblues dhe pasues i shkëlqyer.
Nga Amerika te klubi i tij dhe ndikimi që kishte
Në vitin 1977, ai transferohet në SHBA te New York Cosmos, ku pati mundësinë të luante përkrah legjendës Pelé. Pas kësaj eksperience dhe fitimeve financiare, Sono bleu klubin Highlands Park në vitin 1982, duke e riemërtuar në Jomo Cosmos, frymëzuar nga ekipi amerikan ku kishte luajtur. Përmes klubit të tij, Sono u fokusua në zhvillimin e talenteve nga zonat rurale. Disa prej lojtarëve që ai zbuloi dhe zhvilloi, si Philemon Masinga, Helman Mkhalele dhe Mark Fish, patën karriera të mëdha dhe luajtën edhe në Evropë. Ai pati rol edhe në përfaqësuesen e Afrikës së Jugut, duke shërbyer si trajner i përkohshëm në disa periudha dhe si këshilltar në triumfin e Kupës së Kombeve Afrikane në vitin 1996.
32 vite në stol dhe fundi nuk duket
Që nga viti 1994, Sono është zyrtarisht trajner i Jomo Cosmos, ndërsa në praktikë ka kontrolluar çdo aspekt të klubit që nga themelimi. Edhe pse klubi sot garon në nivelet më të ulëta të futbollit në Afrikën e Jugut, ai vazhdon të qëndrojë në krye. Gjatë kësaj periudhe, Cosmos ka fituar tituj kampion dhe kupa vendase, ndërsa periudha më e artë ishte në fillim të viteve 2010. Në fund, historia e Jomo Sono është unike: një trajner që nuk mund të shkarkohet, sepse i vetmi që mund ta bëjë këtë është… vetë ai.
Top Channel